“Air Albania” minierë për Kukësin, zbulohet shifra e arkëtuar nga biletat

schedule21:44 / 21/02/2020

Humbje në fushë, por fitore në aspektin financiar. Një rekord për klubin e Kukësit, që fiton miliona nga shitja e biletave në ndeshjen me Tiranën. ABC News mëson se plot 60 milion lekë të vjetra janë arkëtuara nga shitja e rreth 7600 biletave.

Presidenti Safet Gjici buzëqesh, pasi një shifër e konsiderueshme do të shkojë në arkat e klubit verilindor. Qëllimi është pikërisht ky, kthimi i klubeve të futbollit në një biznes fitim prurës. Dhe nëse klubet fitojnë shifra të tilla në një ndeshje të Superiores, atëherë është një arritje.

Sigurisht përballja e sotme, Kukësi-Tirana, kishte një specifikë të veçantë. Luanin dy ekipet e kreut në Superiore dhe mysafirë ishin bardheblutë, që kishin një numër të konsiderueshëm tifozësh në stadium. Ata përkthehen në para, këtë herë për Kukësin, kurse në takimet e tjera për Tiranën.

Në “Air Albania Stadium” klubet po fitojnë, ndërkohë që po ka edhe një dëshirë më të madhe të tifozëve për të qenë të pranishëm në stadium. Impianti i ri i kryeqytetit ofron kushte komode për të parë një ndeshje futbolli, në çdo sektor.

Veç tifozëve të ekipeve, tashmë ka edhe një nxitje të sportdashësve për të shijuar një ndeshje futbolli. Takimi i radhës luhet nesër, këtë herë Partizani kampion në fuqi pret Bylisin. Dy ekipe të rrethuara nga entuziazëm, që nesër do të kenë edhe mbështetjen e tifozëve në stadium. Financiarisht sigurisht që Partizani do fitojë, kurse në fushë mbetet për t’u parë. /abcnews.al

schedule21:44 / 21/02/2020