“Unë jam Agron Xhafaj.
Kam vendosur që t’i drejtohem vetë autoriteteve italiane të drejtësisë për të ekzekutuar një vendim dënimi penal të tyre kundrejt meje.
Kam vendosur ta bëj këtë duke u paraqitur sot në Itali tek autoritetet përkatëse”.
Kështu e nis letrën drejtuar opinionit publik personi më i sulmuar nga opozita ditët e fundit, Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Ai pretendon se nuk ka patur asnjëherë dhe nuk ka akoma edhe sot asnjë kërkesë dhe asnjë interes nga organet e drejtësisë italiane për të ekzektuar këtë vendim.
“Edhe pse unë asnjëherë nuk kam qënë në kërkim për ekzekutimin e këtij vendimi, unë po e kryejë këtë akt”.
Gabim në rini si shumë të tjerë e konsideron të shkuarën që e ka ndëshkuar me burgim. Por pavarësisht të gjithave sot ka vendosur të bëjë publike një të vërtetë të madhe përkundrejt shpifjeve siç i cilëson ai deklaratat e fundit të bëra ndaj tij.
“Unë jo vetëm që nuk i jam shmangur hetimit dhe gjykimit tim në këtë çështje, por përkundrazi, kam bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të qënë prezent në Itali gjatë hetimit dhe më pas gjatë gjykimit tim. Janë të plota dhe të dokumentuara të gjitha përpjekjet e mia në këtë drejtim”.
Historia me drejtësinë italiane është ndryshe vazhdon përshkrimin e tij Agron Xhafaj, me pretendimin se ishin vetë autoritetet italiane që e liruan pas një muaji ndalimi dhe urdhëruan largimin e tij nga Italia. Madje, ai thotë se është përpjekur për një dekadë që të pajiset me vizë pikërisht për të ndjekur pranë drejtësisë italiane çështjen e tij.
“Në të gjitha rastet kjo kërkesë më është refuzuar. Sot jam 43 vjeç dhe prej vitit 2002 e deri më sot nuk ka asnjë sjellje, apo vepër time që të ketë qënë në kundërshtim me ligjin dhe me moralin”.
Por sot ndjehet i detyruar të hedhë këtë hap.
“Sot, si rrjedhojë e këtij presioni politik dhe publik kundrejt familjes time, nëpamundësinë për t’i ofruar fëmijëve një jetesë të qetë e pa stresin e përditshëm të shpifjeve e shantazhit, por edhe në bindjen time se ky është vendimi i duhur, marr guximin të kryejë vet këtë hap të rëndësishëm dhe të përballem në rrugë ligjore me egzekutimin e vendimit”.
Agron Xhafaj sqaron gjithashtu se ka deklaruar në prokurori se audio e publikuar, përfshirë efektet zanore si dhe imazhet e sajuara janë false, dhe janë bërë publike në media me qëllim shantazhin dhe presionin ndaj tij e vëllait të tij ministër i Brendshëm. Letrën e tij Agron Xhafaj e mbyll shpresëplotë.
“Shpresoj që prokuroria dhe gjykata t’i shkojnë deri në fund hetimit penal dhe civil ndaj montazhit te paskrupullt ndaj meje e familjes time.
Agron Xhafaj”.
/abcnews.al