Atletico Madrid dhe Barcelona luftuan fort për të fituar ndeshjen, por heroi ishte Leo Messi. Argjentinasi, i cili pritet të fitojë për herë të gjashtë “Topin e Artë” sonte në mbrëmje, shënoi një gol fantastik që i dhuroi triumfin ekipit katalanas.
Kapiteni finalizoi në mënyrë perfekte një inkursion ku nuk munguan kombinimet me Suarez dhe mposhti sllovenin Oblak. Por jo vetëm Messi. Te Barcelona ishte protagonist edhe Gerard Pique.
32-vjeçari ia doli të realizonte 81 pasime, duke arritur numrin më të madh në duelin e mbrëmjes së kaluar. Pique vendosi edhe një tjetër rekord, arriti të ndalë ofensivën e vendasve dhe e mbylli ndeshjen me 100% të dueleve të fituara.
Pique nuk i shpëtoi ndëshkimit me karton të verdhë, i dhjeti në 17 ndeshjet e zhvilluara këtë sezon në të gjithë kompeticionet. Një numër i madh duke marrë parasysh se sezonin e kaluar e mbylli me vetëm 7 kartonë të verdhë në total.
Mbrojtësi pësoi një dëmtim në gju gjatë përplasjes me Vitolon dhe u detyrua t’i linte vendin Samuel Umtitit. Kontrollet e detajuara mjekësore do të përcaktojnë saktësisht se kur do të rikthehet, por Pique është në dyshim për ndeshjet kundër Interit dhe Real Madrid. /abcnews.al