Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Fatos Klosi thotë se situata mes Rusisë dhe vendeve perëndimore që janë anëtare të NATO-s, është acaruar edhe për shkak të luftës në Ukrainë.
Në emisionin “Lufta dhe Paqja” në ABC News, Klosi u shpreh se jo vetëm Rusia ka dërguar agjentë në Perëndim, por edhe Perëndimi në Rusi.
Sipas Klosit, “lufta” e agjentëve mes Rusisë dhe Perëndimit është shumë e vjetër.
“Edhe vendet perëndimore, sigurisht që kanë në Rusi. Të gjitha palët, sidomos të mëdhenjtë e kësaj bote, përpiqen të mësojnë informacione të cilat nuk vijnë me burime të tjera, informacione që vijnë përmes shërbimit sekret. Jam i sigurt që këto dy kampe, NATO nga njëra anë dhe Rusia në anën tjetër, e kanë këtë luftë shumë të vjetër. Të dyja palët punuan kundër njëri-tjetrit në fushën e shërbimeve sekrete. U duk sikur i zbut pak kjo luftë, në fundin e Luftës së Ftohtë, kur zbulonin spiunë te njëri-tjetri dhe do e lajmëronin palën kundërshtare që, ne e zbuluam dhe ata e tërhiqnin. U krijua një situatë mirëkuptimi.
Tani situata është acaruar, sidomos lufta në Ukrainë krijoi kondita të reja. Këta spiunë që zbulohen, nuk janë të sotshëm, janë histori të vjetra. Por është rritur kujdesi mesa duket. Ka rregulla, Moska nuk mund të kërkojë që ata të rrezikohen. Po u rrezikuan, nuk i shërbejnë dot Moskës. Vendet ku ndodhen ata, janë bërë më të kujdesshme. Edhe teknologjia sot është goxha e avancuar, kështu që i kontrollojnë më thjeshtë”, theksoi ai./abcnews.al