I formuar nga pakënaqësia e grekëve ndaj ndërkombëtarëve dhe emigrantëve, partia nacionaliste Agimi i Artë doli e humbur në zgjedhjet e së dielës në Greqi. Sipas analistëve politikë, dështimi i subjektit të ekstremit të djathtë është tregues se grekët e kanë kuptuar se problemi nuk janë të huajt por sistemi.
Partia e ekstremit të djathtë, Agimi i Artë, nuk arriti të siguronte asnjë vend në Parlamentin e ri të Greqisë, një rezultat ky që sipas analistëve politikë reflekton një përmirësim të vogël të të ardhurave të vendit pas vitesh të tëra krize ekonomike.
Agimi i Artë, i njohur për mitingjet e tipit ushtarak të shoqëruara me pishtarë dhe përshëndetje naziste, pa të dielën t’i binte mbështetja elektorale në 2.9 për qind, nga 3 që është pragu elektoral dhe nga 6.9 për qind që kishte siguruar në zgjedhjet e 2015-s.
Megjithatë, kryetari Nikos MIHALOLIAKOS bëri një deklaratë sfiduese.
“Agimi i Artë nuk ka marrë fund. Njerëzit bëjnë mirë ta kuptojnë këtë. Ne do të vijojmë luftën tonë për nacionalizëm dhe do të kthehemi aty ku morëm forcë, në rrugët dhe sheshet e Greqisë”, deklaroi MIHALOLIAKOS.
Agimi i Artë ka qenë partia e katërt më e madhe në Parlamentin e mëparshëm të Greqisë, duke patur mbështetjen e grekëve të irrituar nga kushtet e rrepta të diktuara nga Trojka në këmbim të ndihmave financiare. Gjithashtu, subjekti politik mori mbështetjen e grekëve të pakënaqur nga numri i lartë i emigrantëve, kryesisht atyre myslimanë që arratiseshin nga Lindja e Mesme për shkak të konflikteve dhe mbërrinin në ishujt grekë nga Turqia, për të arritur më pas në Europën perëndimore.
Por tani gjërat duket se kanë ndryshuar.
“Elementi i irritimit ndaj ndërkombëtarëve dhe emigrantëve nuk ekziston më. Grekët e kanë kuptuar se duhet të rregullohet sistemi që vendi të ecë përpara”, ka deklaruar analisti Dimitris Mavros për agjencinë “Reuters”.
Zgjedhjet parlamentare të së dielës në Greqi u fituan nga partia konservatore Demokracia e Re, me liderin e saj Qiriakos Micotaqis që të hënën zëvendësoi Aleksis Tsipras në postin e kryeministrit./ABC News Albania 24/7