Presidenti Donald Trump ka urdhëruar anullimin e programit të mbrojtjes për mbi 200 mijë shtetas të El Salvadorit të cilët punojnë dhe jetojnë në SHBA. Atyre u ishte dhënë mbrojtja pas tërmetit të vitit 2001 që tronditi Amerikën Qëndrore. Por duhet të largohen nga SHBA brenda shtatorit të 2019.
Administrata e presidentit, Donald Trump ka njoftuar se SHBA do të anullojnë lejet e qëndrimit për rreth 200 mijë persona nga El Salvadori. Nëpërmjet tyre ata jetonin dhe punonin në SHBA. Programi humanitar, i quajtur Statusi i Përkohshëm i Mbrojtjes “TPS”, u dha pasi një sërë tërmetesh tronditën vendin e Amerikës Qendrore në vitin 2001.
Administrata Trump tashmë ka hequr mbrojtjen e “TPS” për dhjetëra mijëra shtetas të Haitit dhe Nikaraguas. Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare i kanë dhënë afat shtetasve nga El Salvadori deri më 9 shtator 2019 të largohen nga SHBA ose të gjejnë një mënyrë ligjore për të qëndruar në vend. Mbrojtjet nuk do të përfundojnë për 18 muaj “për të lejuar një tranzicion të rregullt”, tha Departamenti i Sigurisë Kombëtare në një deklaratë.
Ndërsa më tej shton se kushtet e shkaktuara nga tërmetet në vitin 2001 nuk ekzistojnë më. Ndërkohë, nga ana tjetër qeveria e El Salvadorit është përpjekur të lobojë në Uashington për zgjatjen e programit të mbrojtjes për qytetarët që banojnë në SHBA. Por siç duket nuk ka arritur të bindë presidentin Donald Trump. Një tjetër problem që lind me këtë vendim të tij është ndarja familjare, pasi fëmijët e lindur në SHBA që kanë marrë shtetësinë mund të humbasin prindërit që mund të deportohen në EL Salvador. Për këtë qindra persona kanë protestuar pranë Shtëpisë së Bardhë./abcnews.al