Administrata e Joe Biden po e humbet fokusin ndaj korrupsionit global

schedule11:02 - 11 Tetor, 2021

schedule 11:02 - 11 Tetor, 2021

Nga Ben Judah “Foreign Policy

Presidenti amerikan Joe Biden supozohej të ishte presidenti kundër kleptokracisë, njeriu

që pas presidencës traumatike të Donald Trump, do t’i jepte fund imazhit të Shteteve të Bashkuara si një vend ku synohet të pastrohen paratë e pista.

Dhe Jake Sullivan supozohej të ishte këshilltari i sigurisë kombëtare anti-kleptokracisë, duke premtuar “të bënte bashkë aleatët tanë për të luftuar korrupsionin dhe kleptokracinë”. Lufta ndaj financave të paligjshme brenda dhe jashtë SHBA-së, ishte një plan kryesor i “politikës së jashtme të administratës për shtresën e mesme”.

Por gati një vit pas zgjedhjeve presidenciale, ekziston një zhgënjim dhe frustrim në rritje në mesin e atyre që janë të interesuar për luftën anti-korrupsion. Zhgënjimi i parë ka të bëjë me të ashtuquajturin Samiti për Demokracinë, të cilin administrata Biden e mendonte si një samit të madh, ku udhëheqësit demokratë do të vinin dhe do të bënin premtime serioze për të luftuar korrupsionin në nivel ndërkombëtar.

Megjithatë, ky samit është reduktuar nga një ngjarje madhore në diçka pak më të mirë sesa një mbledhje nëpërmjet plaformës online Zoom me Joe Biden në dhjetor të këtij viti. Deri më tani nuk ka një listë të qartë të të ftuarve.

Dhe në vend të planeve për një angazhim të madh sesi duhej luftuar kleptokracia globale, flitet se vendet e huaja do të paraqesin disa propozime të mjegullta, teksa sipas një zyrtari

të Departamentit të Shtetit, pritet të mbahet një samit tjetër “1 vit pas nisjes së zbatimit të masave”.

Pa një udhëheqje të qartë nga Shtëpia e Bardhë, samiti është shndërruar në një organizim jo-qeveritar që nuk është i dobishëm as për administratën Biden, dhe as për aktivistët kundër korrupsionit. Angazhimi jo shumë domethënës gjatë fjalës së mbajtur në sesionin special të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi korrupsionin, ishte një paralajmërim i gjërave që do të vijnë.

A mund të fokusohet politika e jashtme amerikane në më shumë sesa një çështje? Me siguri që ajo dëshiron që ne të mendojmë se mundet. Por vendimi për ta shndërruar frazën e epokës Trump të “konkurrencë e fuqisë së madhe” në “konkurrencë strategjike” kur është fjala për Kinën, supozohet të sinjalizojë përmirësimin e standardeve dhe vlerave të brendshme si pjesë e gjeopolitikës së saj.

Lënia në heshtje e axhendës së luftës kundër kleptokracisë nuk e mbështet këtë gjë. Përkundrazi, ajo tregon një vazhdimësi shqetësuese të aspekteve më negative të administratës Obama: paaftësinë për të ndjekur më shumë se një axhendë në të njëjtën kohë.

Zhgënjimi i dytë është i aspektit burokratik. Teksa aktivistët fillimisht u gëzuan nga komentet e Sullivan kundër kleptokracisë dhe nga caktimi i zyrtarëve të angazhuar për këtë çështje në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, përparësitë e kësaj administrate po e dëmtojnë luftën kundër korrupsionit.

Siç e tregojnë edhe zhvillimet dramatik rreth marrëveshjes së re të mbrojtjes SHBA-Britani e Madhe-Australi, vendimet e vërteta të politikës së jashtme, janë duke u marrë nga ekipi i ekspertëve mbi Kinën i drejtuar Kurt Campbell në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Ndërsa retorika e Sullivan mund t’i ketë kënaqur aktivistët, fokusi i tij strategjik ka qenë pothuajse tërësisht tek Kina. Kjo miopi burokratike shtrihet edhe tek riorganizimi i CIA-s, duke i dhënë sërish përparësi garës me Pekinin.

Edhe në Departamentin e Thesarit, prioritetit i sekretares Janet Yellen mbi reformën fiskale ndërkombëtare, nuk ka vendosur në qendër luftën kundër korrupsionit. Në mesin e aktivistëve ka shumë pakënaqësi për mungesën e stafit të fokusuar tek anti-korrupsioni.

Prandaj ekziston frika e përsëritjes së asaj që ndodhi me përpjekjet kundër kleptokracisë

nën administratën Obama, kur një çështjeje komplekse që kërkonte koordinim midis departamenteve, i mungonte një shembull frymëzues ndaj nuk arriti të shënonte ndonjë përparim.

Zhgënjimi i tretë ka të bëjë me mundësuesit e rrjeteve të pastrimeve të parave. Këtu përfshihen ata profesionistë që preken pak apo aspak nga nga legjislacioni ekzistues kundër pastrimit të parave, duke i lënë ata të lirë të këshillojnë dhe ndihmojnë aktorët e paligjshëm brenda dhe jashtë vendit.

Me gjithë zgjerimin e konsiderueshëm të rolit të Rrjetit të Përmbarimit të Krimeve Financiare (FinCEN) në Aktin Kundër Pastrimit të Parave të vitit 2020, asnjë rregullore e re nuk ka kaluar në Kongres apo Shtëpinë e Bardhë për të garantuar një respektim më të mirë të ligjit nga institucionet e ndryshme financiare private.

Mbi 90 për qind e vendeve në botë kërkojnë nga institucionet jo bankare që të kenë programet e tyre kundër pastrimit të parave. Por Shtetet e Bashkuara nuk janë njëri prej tyre.

Zbulimet e bujshme të “Pandora Papers”, tregojnë se deri në çfarë mase po veprojnë vetë Shtetet e Bashkuara si një platformë për transaksionet më të errëta financiare në botë.

“The Washington Post” raportoi javën e shkuar se një fondacion amerikan ka ndihmuar 2 zyrtarë kolumbianë dhe 2 ekuadorianë që të fshehin miliona dollarë nga paratë e vjedhura

nga arka e shteteve të tyre. Këto zbulime kanë treguar sërish se është Kongresi, dhe jo administrata Biden, më e fokusuar në luftën kundër korrupsionit.

Kongresmenët Tom Malinowski, Maria Elvira Salazar, Steve Cohen dhe Joe Wilson,

kanë prezantuan në Kongres një projektligj të përbashkët midis demokratëve dhe republikanëve të quajtur ENABLERS Act për të goditur ata që lehtësojnë pastrimin e parave.

Nëse miratohet, kjo do të shënonte ndryshimin më të madh në rregullat e SHBA-së kundër pastrimit të parave që nga 11 shtatori. Por kësaj nisme i mungon mbështetja e vërtetë nga Shtëpisë së Bardhë. Dhe kjo vjen për shkak të frustrimit në rritje të demokratëve.

Shkalla e këtij problemit është shumë e lartë. Thesari Amerikan vlerëson se 300 miliardë dollarë, ose afro 2 për qind e PBB -së, pastrohen në vend çdo vit. Dhe masat e marra deri më tani janë shumë të dobëta ndërsa interesat janë aq të fuqishme politikisht dhe financiarisht saqë do të duhej një punë e madhe për të imponuar ndërmarrjen e reformave domethënëse.

Ndryshimet klimatike dhe Kina, janë sfida të mëdha për administratën Biden. Por kleptokracia globale nuk mund të mbetet pas. Roli i korrupsionit në formësimin e komuniteteve globale, nuk është aspak një shpërqendrim nga konkurrenca e fuqive të

mëdha me Rusinë dhe Kinën, por plotësues i tij në një botë të ndërhyrjeve elektorale dhe globalizimit, të aspekteve të korrupsionit autoritar dhe marrëveshjeve në projekte të tilla

si Nisma kineze e Brezit dhe Rrugës.

Ndërsa shumica e sfidave të politikës së jashtme, nga ndryshimet klimatike tek ato me Vladimir Putinin e Rusisë apo Xi Jinping të Kinës janë kronike, Shtetet e Bashkuara kanë fuqinë e duhur për të zvogëluar në mënyrë të njëanshme hapësirën që u ofrohet kleptokratëve globalë, falë rolit të dollarit amerikan si monedha rezervë globale.

Shënim: Ben Judah, është gazetar britaniko-francez, dhe autor i librit “Kjo është Londra, dhe perandoria e brishtë”.

/Përktheu: Alket Goce-abcnews.al