Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë serbëve, të cilët dyshohen për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë serbët akuzohen se në periudhën nga 10 deri më 29 dhjetor 2022, në komunat veriore të Kosovës, kanë vepruar në bashkëpunim për të penguar institucionet e Kosovës në ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe vendosjen e rendit kushtetues.
Akuza thotë se të pandehurit, përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, kanë organizuar dhe vendosur barrikada në rrugët kryesore, duke përdorur mjete të rënda, përfshirë kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.
Sipas Prokurorisë, nga veprimet e tyre rezulton se, në rast të ndërhyrjes së Policisë së Kosovës për largimin e barrikadave dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes, pjesëtarët e grupit kanë qenë të gatshëm të sulmonin zyrtarët policorë me mjetet që kishin në dispozicion.
Barrikadat u ngritën pas arrestimit të ish-policit, Dejan Pantiç. Pantiç u arrestua pasi organizoi sulmin ndaj zyrave të komisioneve komunale zgjedhore në veri, dhe u dënua me dy vite burg në 2025.


