Vllaznia dhe Partizani mbrëmjen e djeshme u ndalën në një barazim pa gola, që nuk i jep shansin asnjërit prej dy ekipeve të bëjë hap konkret përpara për titullin kampion. Pas ndeshjes për Gol pas Goli në Supersport foli mbrojtësi Mevlan Adili, i cili u ankua për fushën dhe tregoi edhe për kombëtaren që ndjen më shumë.
NDESHJA – “Fusha nuk ishte në cilësinë maksimale dhe kishte edhe erë të fortë, ndaj mendoj se shkoi mirë. E dimë që këto ndeshje vendosen nga detajet, ndaj u munduam të tregohemi të kujdesshëm dhe të mos gabojmë. Këto nuk janë ndeshje ku mund të kesh raste të shumta shënimi, por fitohen me rezultat minimal, ndonëse sot nuk ia dolëm”.
“THATËSIRA” – “Ne stërvitemi të gjithë në fazën sulmuese dhe të gjithë në fazën mbrojtësi, ndaj nuk duam t’u lëmë përgjegjësinë vetëm sulmuesve për mungesën e golave të shënuar. Unë jam i lumtur me paraqitjen e mbrojtjes dhe shpresoj që të pësojmë sa më pak deri në fund”.
KOMBËTARJA – “Unë kam shumë miq te Maqedonia e Veriut, por vetëm kaq, pasi gjatë atyre ditëve ndoqa Kombëtaren Shqiptare. Mendoj se mund të bënte më mirë, por e rëndësishme ishte që mori ato 6 pikë. Sa i përket Maqedonisë së Veriut, them se po kalon një moment të artë dhe u uroj sukses, por unë ëndërroj që një ditë të luaj për Shqipërinë”, u shpreh mbrojtësi. /abcnews.al