Kryetarja e Bashkisë Shkodër u është përgjigjur deklaratave të bëra pasditen e së enjtes nga kryeministri Edi Rama në një takim në këtë qytet. Në një postim në Facebook, Ademi i thotë kryeministrit se edhe pas 8 viteve vijon të mos e kuptojë se pse, sipas saj, nuk e duan shkodranët.
Sipas kryebashkiakes, shkodranët nuk e kanë votuar dhe nuk do ta votojnë asnjë herë Partinë Socialiste.
Gjatë fjalës së tij, kryesocialisti u përpoq që t’i bindte shkodranët që ai nuk është komunist ndërsa u kërkoi që t’i japin PS-së një mundësi, por Voltana Ademi thotë që ai e demostroi sot që komunist është dhe se Shkodra e njeh për të tillë dhe për këtë arsye “të ka dhënë përgjigjen që ke merituar.
Lexo edhe: “PD mallkim i Enver Hoxhës”, Rama lutje shkodranëve: Na e jepni 1 mundësi të tregojmë a vlejmë
“Sot nga Shkodra, iu kthye “humorit të zi”, duke i kujtuar persekucionin komunist, djali i atij që firmosi varjen në litar të një shkrimtari si Havzi Nela!”
Kryebashkiakia e akuzon kryeministrin se po përpiqet që të përhapë një frymë përçarjeje por, sipas saj për 45 vite i rezistoi Shkodra diktaturës, dhe për “10 ditë do ta bëjmë të dorëzohet edhe Edveri.”
POSTIMI
Apologjia e humbjes e një individi të pashpresë!
Pas 8 viteve persekutim të Shkodrës, pranuar edhe me gojën e tij, nuk e kupton akoma pse nuk e duan shkodranët, pse nuk e kanë votuar dhe nuk do ta votojnë jo vetëm me #25Prill por asnjëherë! Sot nga Shkodra, iu kthye “humorit të zi”, duke i kujtuar persekucionin komunist, djali i atij që firmosi varjen në litar të një shkrimtari si Havzi Nela!
Po, ti je komunist dhe e demonstrove sot atë para Shkodrës, e cila të njeh dhe ta ka dhënë përgjigjen ashtu siç e ke merituar!
Po, ne jemi antikomunistë! Kemi qenë e do të jemi sepse kemi lindur të lirë dhe kështu do të qendrojmë!
Diversionet e ulta në Shkodër, fryma e përçarjes që kërkon të mbjellësh do të jetë fillimi i ndëshkimit tënd nga shkodranët e shqiptarët me
#25Prill. Për 45 vite i rezistuam diktatorit komunist dhe për 10 ditë, do të bëjmë të dorëzohet edhe Edveri!
Ti as nuk e ke njohur e nuk do ta njohësh kurrrë Shkodrën. Ti nuk e ke vlerësuar dhe nuk mund ta vlerësosh kurrë atë, edhe pse rrekesh të gjesh lidhje në këtë qytet. Duke i përmendur, vetëm i ndot ata, kontributin dhe kujtimin e tyre në këtë qytet.
Ora jote po pushon, po ndalet! Pas 10 ditëve ti do të jesh thjesht një pensionist në politikë. Nga Shkodra do të vijë humbja që e ke merituar si askush tjetër në këtë vend!
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!