SPAK çon Beqajn në gjyq/ Fondet e BE, mbyllen hetimet për ish-ministrin e Shëndetësisë

schedule13:00 - 17 Shkurt, 2025

schedule 13:00 - 17 Shkurt, 2025

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka nisur komunikimin e akuzave për personat e marrë në hetim në lidhje me abuzimin me fondet e agjencisë së njohur si SASPAC, mes të cilëve ish-ministri Ilir Beqaj dhe 7 personave të tjerë.

Beqaj do të përballet me disa akuza, duke nisur nga ajo e korrupsionit, fshehjes së pasurisë, shkeljes së barazisë në tendera dhe mashtrimit. Përveç Beqajt që ka drejtuar agjencisë e SASPAC e cila merrej me menaxhimin e fondeve të Bashkimit Europian, akuza iu komunikua edhe Ermal Kurtulajt që konsiderohet nga prokuroria si një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Beqajt si dhe 6 personave të tjerë.

Beqaj u arrestua me urdhër të SPAK në korrik të vitit të kaluar, teksa ndodhej me masën detyrim paraqitje për shpërdorim detyre lidhur me dosjen e sterilizimit, teksa vepra penale iu rikualifukua në vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Në lidhje me abuzimin me fondet e bashkimit europian, prokuroria thotë se Beqaj në bashkëpunim me personat e tjerë kanë kryer të paktën 8 procedura tenderimi në shkelje të ligjit.

Po kështu nga hetimet ka rezultuar se nëpërmjet faturave fiktive, fondet e agjensisë që drejtohej nga Beqaj kalonin për llogari të një restoranti që në të vërtetë drejtohej në hije nga ish-ministri.

Për dosjen e SASPAC, mbahen në qeli Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulaj ndërsa personat e tjerë të përfëshirë janë hetuar me masa më të lehta sigurie. Për këtë procedim penal më herët SPAK vuri në sekuestro disa pasuri në ngarkim të personave nën hetim përfshi edhe një apartament në Vlorë që dyshohet se është në pronësi të Beqajt./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!