Damian Gjiknuri dëshmoi sot pasdite në Prokurorinë e Krimeve të Rënda lidhur me hetimet që po kryhen për zbatimin e projektit të autostradës Tiranë-Elbasan. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e drejtuar nga Gjiknuri kishte paraqitur kallëzim nën Prokurori për këtë çështje, pas një auditi në ARRSH që konstatoi shkelje dhe dëm financiar në buxhetin e shtetit.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, dëshmoi për rreth një orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, lidhur me hetimin e nisur për abuzimet me rrugën Tiranë-Elbasan.
Përpara prokurores Elisabeta Imeraj, Gjiknuri ka dhënë detaje per shkeljet e konstatuara nga Auditi i Ministrisë tek Autoriteti Rrugor Shqiptar lidhur me këtë projekt.
Damian Gjiknuri: “Në cilësinë e personit që ka dijeni dhe që mund të kontribuojë për çështjen, meqenëse kam qenë ministër apo përfaqësues i organit kallëzues në lidhje me veprën që po hetohet nga Prokuroria. Kështu që unë nuk kam ndonjë gjë për të shtuar. Unë nuk jam këtu për të bërë hetime. Unë çfarë kam për t’i thënë i kam shprehur në raportin e auditimit tim dhe njëkohësisht i deklarova dhe në Prokurori. Në cilësinë e personit kallëzues duhet të jepja shpjegimet e mia në lidhje me kallëzimin”.
Auditi i kryer nga Ministria e Infrastrukturës për autostradën Tiranë-Elbasan, e cila ka nisur të ndërtohet në vitin 2011, por ende s’ka përfunduar zbuloi një dëm prej rreth 54 milionë euro në buxhetin e shtetit.
Organi i hetimit ka vendosur ngritjen e një grupi ekspertësh rrugore, të cilët do të vlerësojnë nga afër punimet e kryera në këtë segment.
Sipas burimeve, ata do të përpilojnë një akt-ekspertim, duke konstatuar përputhshmërinë e punimeve të konsideruara si të kryera në dokumentacion, me ato të kryera në të vertëtë. Ekspertët do të vlerësojnë nëse amendimet e kontratave kane qenë apo jo të nevojshme.
Damian Gjiknuri është zyrtari i tretë i lartë i cili thirret për të dëshmuar.
Në pyetje për këtë dosje janë marrë edhe paraardhësit e Gjiknurit, dy ish-ministra të LSI-së, Sokol Dervishaj dhe Edmond Haxhinasto. Po ashtu në Prokurori është thirrur për të deshmuar edhe kreu aktual i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro.
Në pranga për “shpërdorim të detyrës” lidhur me projektin e autostradës Tiranë-Elbasan janë aktualisht ish-drejtori i ARRSH, Dashamir Xhika, dhe dy ish-vartësit e tij, Albens Alite dhe Aksel Qurduka./abcnews.al