Abuzimet me pronat, raste të tjera hetimesh për zyrtarët e bashkive

schedule19:11 - 16 Mars, 2018

schedule 19:11 - 16 Mars, 2018

Edhe më herët ka pasur raste abuzimesh me pronat në bregdet të hetuara nga prokuroria dhe policia. Në to kanë qenë të përfshirë funksionarë dhe zyrtarë të lartë të pushtetit vendor. Sjellim në vëmendje disa prej këtyre rasteve.

Rasti i Lezhës, ku u ndalua kreu i bashkisë, Fran Frrokaj nuk është i vetmi.

Rreth një muaj më parë, për të njëjtën akuzë nisi procedimi në gjendje të lirë edhe për kreun aktual të Bashkisë së Rrogozhinës, Beqir Nuredini. Numri një i qytetit, i zgjedhurr nga radhët e PDIU, akuzohet se ka shpërdoruar detyrën, duke tjetërsuar prona në bregdetin e Spillesë. Përveç tij, po hetohen edhe 23 funksionarë edhe ish-funksionarë të ketij qyteti.

Operacioni u quajt “Ranishtja 2”, ku sipas prokurorisë së Kavajës individët pasi tjetërsonin tokën ranore e regjistronin në Hipotekë në emër të të afërmve të tyre. Gjithashtu, vijojnë të jenë në proces verifikimi edhe 27 biznese të ndërtuara në plazhin e Spilles. Ndërtimet e lokaleve rezultojnë vetëm mbi bazën e një aplikimi në Bashkinë Rrogozhinë, duke paraqitur vetëm një plan vendosje.

Po në muajin Shkurt 2018 hetimit për tjetërsimin e pronave në bregdet nuk i shpëtoi edhe ish-kryetari i komunës së Ishmit. Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë arrest me burg për Sulejman Ibrahimi, i cili akuzohet për tjetërsimin e pronave në gjirin e Lalëzit. Me të njëjtën masë sigurie u la edhe Enver Shima, me detyrë ish-përgjegjës i zyrës së Bujqësisë. Prokuroria e Durrësit theksoi se Ibrahimi ka “Shpërdoruar detyrën” vepër kjo e kryer në bashkëpunim, si edhe akuzohet për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Ish-kreu i komunës ka abuzuar me ndarjen e tokave sipas ligjit për tokën, dhe të disa kontratave qiraje për dhënie të hapësirës publike në plazhin e Gjirit të Lalzit.

Problem me drejtësinë duke falsifikuar dokumentat kishte edhe ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Prokuroria kërkoi për të në vitin 2016 dënimin me 9 vite burg por, gjykata e qytetit bregdetar e dënoi atë me me 4 vite, ndërsa dënimi iu konvertua në dy vite shërbim prove. Shpëtim Gjika, u akuza në vitin 2014 se, kishte lejuar ndërtimin e një objekti godinë banimi në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë. Sipas akuzës, dokumentat janë falsifikuar në katër episode, tre prej të cilave kanë lidhje me tre vendime të KRRT-së Vlorë të datës 17 Janar 2011. Ndërkohë që i katërti i përket lejes së ndërtimit në Qershor 2013./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!