Abonetë falas për studentët, shoqata kërkon rimbursim ose rritje çmimi të biletës

schedule15:52 - 28 Nëntor, 2022

schedule 15:52 - 28 Nëntor, 2022

Shpërndarja falas e aboneve për studentët, nismë e Bashkisë së Tiranës që nga 1 nëntori, ka reduktuar me 37% shitjet e biletave për secilin operator në kryeqytet.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ngre shqetësimin se kjo po iu tkurr fitimet në një kohë që po përballen me kosto shtesë për shkak të shtrenjtimit të karburanteve dhe uljes me 35% krahasuar me vjet të numrit të pasagjerëve.

Operatorët kompensohen nga bashkia me 600 lekë për çdo abone falas.

Shoqata thotë se  kjo nuk i ndihmon për  të përballuar  situatën dhe përmes një letre drejtuar kryebashkiakut dhe ministres së Arsimit ka kërkuar rimbursim të plotë në vlerën e 1600 lekësh sa çmimi  abonesë në treg.

Operatorët e Transportit Publik deklarojnë se janë dakord me nismën “abone falas për studentët”, por kjo nuk duhet të bëhet në kurriz të tyre aq më tepër duke i çuar drejt falimentit me politika dhe vendimmarrje të prera.

Nëse nuk përcaktohet kompensimi 100% për abonenë falas Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas  thotë se do të detyrohet të kërkojë rritje të çmimit të biletës.

Në Tiranë operojnë 11 kompani të transportit  për 16 linja autobuzësh. /abcnews.al