Pas përfundimit të sfidës së parë të javës së 4-t, të Kampionatit shqiptar të futbollit, Abissnet Superiore, ku “shijakasit” e Erzenit fituan me rezultatin e ngushtë 2 me 1, ndaj “bluve” të Dinamo City, pasditen e kësaj të hëne do të zhvillohen dhe 2 sfida të tjera të vlefshme për këtë javë.
Kështu, në orën 16:00, “bardheblutë” e Tiranës do të përballen me verilindorët e Kukësit, në “shtëpinë” e këtyre të fundit, me të dy ekipet që do të luajnë për 3 pikë të arta, sidomos kuksianët, të cilët deri më tani nuk kanë arritur të sigurojnë qoftë edhe 1 pikë këtë edicion.
Në krahun tjetër, në orën 19:00 “demat e kuq” të Partizanit, pas një barazimi me shumë fat ndaj ‘kuqebluve” të Vllaznisë do të kërkojnë pasditen e sotme në “Arenën e Demave” fitoren e 2-të të kampionatit, kësaj radhe ndaj një kundërshtari të fortë siç janë rrogozhinasit e Egnatias. /i.m /abcnews.al