Egnatia është skuadra e dytë finaliste e “Final Four” pasi ja doli mbanë të kualifikohej në gjysmëfinale ndaj Vllaznisë. Rrogozhinasve ju mjaftonte edhe një barazim për shkak të avantazhit si vendi i parë pas përfundimit të kampionatit të rregullt dhe pikërisht Egnatia kaloi më tej pasi sfida përfundoi 0-0.
Partizani – Egnatia është finalja e madhe e 26 majit në “Final Four” ku do të vendoset titulli kampion i këtij sezoni në “Abissnet Superiore”.
Në stadiumin “Air Albania” u zhvillua një ndeshje spektakolare. Të dyja skuadrat luftuan deri në minutën e fundit duke prodhuar raste të shumta shënimi por pa konkretizimin e duhur.
Vllaznia u shfaq e rrezikshme që në minutën e 2-të por goditja e Grudës u ndal nga portieri Sherri. Më pas ishte radha e Egnatias që regjistroi një rast të mirë shënimi me Zejnullain.
Rrogozhinasit gjetën rrugën e rrjetës në minutën e 19-të por goli u anullua nga sistemi Var. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.
Edhe fraksioni i dytë nisi me të njëjtin ritëm. Në të dyja portat u regjistruan raste të shumta por pa sukses dhe në fund ndeshja u mbyll 0-0.
Finalja e madhe për titullin kampion Partizani – Egnatia do të luhet të dielën më datë 26 maj në stadiumin “Air Albania” në orën 19:00.
Ndërsa Vllaznia do të përballet me Skënderbeun për finalen e vogël për vendin e tretë/katërt në “Final Four”. Ndeshja do të luhet më datë 24 maj në stadiumin “Air Albania” në orën 19:00. /FSHF