ABC News zbardh dokumentin e dakordësuar për Kodin e Etikës

schedule18:20 - 30 Mars, 2018

schedule 18:20 - 30 Mars, 2018

ABC News ka zbardhur dokumentin e dakordësuar mes partive politike PS – PD dhe LSI lidhur me Kodin e Etikës. Ky kod u soll për miratim në seancë plenare në muajin Shkurt, për t’u shtyrë miratimi i tij në një fazë të dytë, pasi partitë politike ranë dakort në bashkëpunimin mes tyre në ndërtimin e këtij kodi. Versioni final i tij është punuar nga palët, të cilat pritet ta depozitojnë në Kuvend.

Pas përshëndetjes nga OSBE për futjen në rendin e ditës së seancës plenare të një muaji më parë dhe dakordësisë mes palëve për të zhgënjyer këtë urim të misionit në Tiranë, partitë politike kanë përfunduar materialin e bashkërenduar mes Partisë Socialiste – Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim: Kodin e Etikës.

Me interpretues kryesor kryetarët e rastit apo Këshillin për Rregulloret dhe mandatin dhe autoritetin përgjegjës për zbatim, Byronë e Kuvendit, ky kod vjen pas një pune të përbashkët të palëve.

Bie në sy neni 4, ai i detyrave të deputetëve, i cili sanksionon pjesëmarrjen e rregullt në veprimtarinë parlamentare në përputhje me Rregulloren e Kuvendit edhe pse kjo e fundit nuk përmban asnjë rresht detyrues lidhur me këtë pjesmarrje. Ilustrues është rasti i ish-ministrit Saimir Tahiri, sot ende deputet edhe pse pa shkelur në Kuvend prej Tetorit 2017.

Një tjetër reflektim i situatave të ndodhura në këtë legjislaturë është neni 7, i cili dënon votimin e deputetëve në emër të njëri–tjetrit.
Neni 8 do të jetë përgjegjësi për paraqitjen e deputetit, i cili duhet të paraqitet me veshje zyrtare, që përmbushin standartet e profesionalizmit.

Një specifikim tjetër është ajo çfarë ky kod i ndalon deputetit në pikën 2 të nenit 8, kur nuk lejon paraqitjen e tij në mungesë të gjendjes fizike apo konsumit të alkoolit dhe substancave narkotike ose psikotrope.

Duket se nuk kanë munguar edhe propozimet e zonjave deputete, të cilave pas miratimit të këtij kodi, Kuvendi u krijon mundësinë të marrin pjesë në punimet parlamentare bashkë me fëmijën e porsalindur.

Deputeti nuk duhet të përfitojë nga imuniteti i tij për të penguar veprimet e drejtësisë për të kërkuar arrestin, heqjen e lirisë në çdo lloj forme ose ushtrimi i kontrollit personal apo të banesës për kryerjen e një krimi të rëndë.

Një tjetër nen dukshëm i ndikuar nga çështja “Tahiri” dhe që qartësisht nuk ngarkon asnjë organ për zbatim veç ndërgjegjes së vetë deputetit.
Sa i përket interpretimit të këtij Kodi, përcaktues është vendi ku takimi zhvillohet. Është kompetencë e drejtuesit të seancës/komisionit apo organit përkatës, ku janë ngritur pretendimet për të vendosur mbi to. Ky vendim nuk është objekt diskutimi por deputeti brenda 2 ditëve mund t’i paraqesë kërkesë Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet për nëj interpretim përfundimtar. Është ky Këshill, me përfaqësi të barabartë mes shumicës dhe pakicës parlamentare, kompetent për interpretim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!