ABC News siguron videon e djegies së një automjeti në zonën e ish-Kombinatit në Tiranë dy ditë më parë. Në pamjet, që disponon edhe grupi hetimor, duket zjarrvënësi që ka mbetur edhe vetë i dëmtuar. Megjithatë ai ende nuk është kapur nga policia.
Djegia e automjeteve në Tiranë e jo vetëm është kthyer në një trend për dëmtuesit e tyre.
Rasti më i fundit u regjistrua në zonën e ish-Kombintatit në kryeqytet, ku një automjet tip Mercedes-Benz u shkrumbua në pak sekonda.
ABC News ka siguruar pamjet e djegies së makinës në pronësi të Mimoza Agalliut, Drejtore e Qendrës Sociale në po të njëjtën zonë.
Në pamje shihet një person rreth 1.75 metra i gjatë, i veshur me xhinse dhe me një bluze sportive me kapuç që i vë zjarrin makinës.
Autori vjen nga një rrugicë dytësore rreth orës 02:18 të mëngjesit dhe mban një bidon me lëndë djegse.
Pas disa sekondash spërkatje me benzine, automjeti pushtohet nga flakët, ndërsa personi që i vuri zjarrin largohet me shpejtësi nga e njëjta rrugicë që erdhi në fillim.
Sipas hetuesve, i riu siç duket edhe në pamjet e fiksuara nga kamerat e sigurisë është dëmtuar nga flakët. Deri tani policia nuk e ka identifikuar dhe kapur autorin.
Vetëm pak minuta më pas, mbërrijnë një automjet zjarrfikëse dhe një patrullë e policisë.
Në Tiranë, ky është rasti i tretë brenda pak ditësh i djegies së makinave të parkuara poshtë shtëpive të banimit./abcnews.al