A po e shtyn Europa Kosovën drejt Turqisë së Erdogan?

schedule13:24 - 27 Nëntor, 2017

schedule 13:24 - 27 Nëntor, 2017

Në një editorial të gjatë, ne Hufington Post shtrohet pyetja nëse Kosova po hedh sytë më shumë drejt Islamit, sesa drejt SHBA dhe BE, 18 vjet pasi fitoi lirinë. Si argument për këtë shërben edhe Vetëvendosja si dhe faktorët që po e ndihmojnë këtë lëvizje të forcohet.  

Fron Nahzi, drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit Global në Institutin McCain për Lidership Ndërkombëtar, në një shkrim të botuar në Huffington Post Shtron pyetjen nëse është Europa ajo që po shtyn Kosovën drejt Turqisë.

Këtë tezë, Nahzi e argumenton në mënyrë të ndryshme përfshirë këtu dhe fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 11 qershorit.

Analisti i jashtëm i CNN, BBC-së e kolumnist i shumë gazetave amerikane e britanike, shkrimin e tij e nis me betimin e Albin Kurtit në Kuran gjatë fushatës së zgjedhjeve të tetorit. Ai shkruan se betimi fillimisht ishte shokues; i bërë gjatë një takimi elektoral. Kurti ish kryetar i Vetëvendosjes u betua se kur partia e tij të vinte në pushtet do ti jepej fund islamofobisë

Sipas këtij shkrimi, Kosova, përkundër shumicës absolute myslimane, dikur ishte mbështetëse e madhe e perëndimit dhe kishte sytë nga SHBA dhe Evropa, por tashmë, “18 vjet pas lufte, vendi po merr rrugë të tjera”. Sipas tij kosovarët janë të lodhur nga papunësia, korrupsioni i madh dhe Europa që po vazhdon t’i lërë jashtë. E si pasojë e kësaj, shkruhet më tej në editorial, brezi i ri i liderëve të Kosovës po vjen në pushtet me slogane nacionaliste, dhe së fundi, kanë filluar të luajnë edhe kartën e Islamit, për të zgjeruar bazën e mbështetësve të tyre. Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit nacionale fitoi 27 për qind, duke u bërë partia më e madhe në vend.Fron Nahzi këmbëngul se Vetëvendosje po ndihmohet. Turqia, Katari dhe të tjerë po mbushin boshllëkun e lënë nga BE-ja dhe SHBA-ja. Nën rrethana të paqarta, në vitet e fundit Qeveria e Kosovës shpërbleu Turqinë me kontrata miliardëshe. Ndërsa Katari, një mbështetës i hershëm i Erdoganit, besohet të jetë një nga donatorët më të mëdhenj të partive politike në Kosovë që përcjellin linjën islamiste të Erdoganit. Kosovarët humbën besimin në lidershipin ndërkombëtar, ndërsa Vetëvendosje po e rrit popullaritetin e saj. “Derisa Evropa dhe partitë qeverisëse në Kosovë të mos bëjnë ndonjë ndryshim, Vetëvendosje është vetëm një palë zgjedhje larg formimit të shumicës në Parlament. Evropa duhet ta kuptojë këtë, duhet të heqë vizat për kosovarët dhe t’i ndihmojë ata të bëjnë zgjedhjet e tyre në bazë të nevojave dhe aspiratave e jo frikës e frustrimit, përfundon shkrimi./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!