A jemi afër bashkimit Shqipëri-Kosovë? Murati: Politika duhet të lërë mënjanë inatet personale

schedule21:47 - 21 Janar, 2022

schedule 21:47 - 21 Janar, 2022

Në “Tiranë-Prishtinë” me Baton Haxhiun u diskutua mes të ftuarve rreth mundësive që Shqipëria dhe Kosova kanë për t’u bashkuar në një të ardhme të afërt.

Për Valon Muratin, kryetari i Lëvizjes për Bashkim, statistikisht dy vendet tona nuk kanë qenë ndonjëherë më afër, por tashmë kjo duhet të përcillet nga një tjetër dinamikë e politikës.

Ai thotë se politika duhet të luajë rolin e saj dhe të lihen mënjanë “inatet” personale që mund të kenë sjellë deri-diku ftohjen apo ngrirjen e procesit. Murati sjell në vëmendje krijimin e Sekretariatit që u njoftua nga mbledhja e dy qeverive në vendin tonë, por shton se duhet të krijohen më tej mekanizma të përbashkët, modelet e të cilave ekzistojnë tashmë.

“Në shtyllën e integrimit nuk mund të na ndalë askush. Krijimi i sekretariatit, i mekanizmave të përbashkëta siç i ka bërë BE, kemi modele. Në planin e integrimeve duhet të bëjmë shumë, të afrohemi që ta përgatisim terrenin, që bashkimi kur të ndodhë të vijë sa më natyrshëm. Bashkimi pastaj nuk mund të ndodhë veç pse po dum.”

Kurse studiuesi dhe analisti Adri Nurellari u shpreh se është alarmante që jemi në kulmin e raportove të dy krahëve të shkëputur të kombit, por kemi pasur regres në nivel të elitave.

“Edhe përtej zhvillimeve të fundit politike, janë dëmtuar raportet me Kosovën për hir të inateve personale. Me Isa Mustafën, Hotin, Haradinajn e Kurtin kemi pasur një distancim, kemi një raport jo dinjitoz aq sa duhej.”

Bashkimi, sipas të ftuarve në studio tashmë duhet të shihet si një proces dhe jo më thjesht si një akt final i vetëm. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!