A i ka Kovačevski votat për ndryshimet kushtetuese? Rama: Populli këtu është i mençur, s’do t’ia falë ligësinë politikës

schedule13:53 - 14 Nëntor, 2022

schedule 13:53 - 14 Nëntor, 2022

Në konferencën e përbashkët për shtyp nga Shkupi, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe homologu i tij maqedonas Dimitar Kovačevski janë pyetur se çdo të ndodhë nëse në Parlamentin maqedonas nuk votohen ndryshimet kushtetuese që janë kyçe për procesin e integrimit të vendit në BE.

Rama u shpreh se nëse këto ndryshime nuk kalojnë në parlamentin e vendit, do të kishim të bënim vetëm me “ligësi dhe patriotizëm të shtirur.” Po ashtu, kreyministri shtoi se populli maqedonas nuk do t’ia falë politikës kthimin e vendit pas pas këtij “kapërcimi epokal që është bërë.”

Edi Rama: “Ne kemi bërë së bashku, Shqipëri-RMV, në një periudhë të gjatë në pritje që të na njihej merita dhe e drejta për të filluar bisedimet për anëtarësim. Për ju ka qenë më e vështirë por dhe për ne nuk ka qenë e lehtë. Ndryshimet e kërkuara në këtë rast për RMV, më duket se vetëm ligësia, patriotizimi i shtirur mund t’i kthejnë në arsye për t’u përçarë mes veti. Ndërkohë që ky vend ka nevojë të vrapojë si të gjithë të tjerët për të kapur kohën e humbur. Kushtetuta juaj ka një sërë minoritetesh të caktuara, është një model i njohur, jo rast unikal e duhet plotësuar. Kaq e thjeshtë është…Ne i konsiderojmë minoritetet një pasuri të madhe, ura lidhëse të rëndësishme. Në interesin tonë që ata të ndihen sa më mirë në vendin tonë. Populli këtu është më i mençur se politikanët dhe nuk besoj se do t’ia falë kujt ligësinë apo rimarrjen peng të RMV. Kapërcimi i bërë është epokal. Nuk dua as ta mendoj që RMV mund të rikthehet në të shkuarën.”

Kurse, kryeministri Kovačevski theksoi se në parlamentin maqedonas nuk janë 80 apo 90 deputetë por 120, dhe të gjithë këta ligjvënës, shtoi ai kanë përgjegjësi për të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe gjeneratës së ardhshme në tërësi.

Po ashtu, ai akuzoi kreun e VMRO-DPMNE-së se është një njeri i dobët dhe pa vizion dhe si i tillë, “mund të merret peng.”

Dimitar Kovačevski: “Nuk është e lehtë të miratohen vendimet që në 5 vitet e kaluara i miratoi vendi. Por kur para ke një vendim të vështirë, ke zgjedhje ose ta lini siç ishte situata, ose të miratoni vendimin me të cilin do të mundësoni që për gjeneratat e ardhshme të jetë një e ardhme më e mirë…” /abcnews.al/