A do t’ia dalin talebanët afganë të armatosen me armë bërthamore?

schedule14:28 - 13 Tetor, 2021

schedule 14:28 - 13 Tetor, 2021

Nga Tom O’Connor “Newsweek

Administrata e re e udhëhequr nga talebanët në Afganistan ka trashëguar një komb të tërë për të drejtuar, dhe bashkë me të një gamë të gjerë përgjegjësish, njëra prej të cilave është një agjenci bërthamore me synime paqësore, e krijuar 1 dekadë më parë nën qeverinë e mëparshme.

Por me emërimin e një shefi të ri të kësaj agjencie, talebanët duket se janë gati të ecin përpara në këtë fushë. Kjo gjë ka ngritur pikëpyetjen nëse Emirati Islamik mund të kërkojë ta përdorë energjinë bërthamore për të zhvilluar një armë të shkatërrimit në masë, ndonëse ekspertët mbeten shumë skeptikë se kjo gjë mund të arrihet shumë shpejt.

Zyrtarisht, duket se nuk është miratuar asnjë politikë për këtë qëllim, por nga ana tjetër talebanët nuk e kanë përjashtuar si mundësi.“Deri tani nuk ka pasur asnjë vendim për zhvillimin e armëve bërthamore”- deklaroi një zyrtar taleban për “Newsweek” në kushte anonimiteti.

Por disa analistëve u bëri përshtypje një listë me emrat zyrtarë për qeverinë e përkohshme të talebanëve, të dekretuar nga Udhëheqësi Suprem i Talibanëve Hibatullah Akhundzada, ku ra në sy emërimi i inxhinier Najeebullah si “shef i energjisë atomike”.

Nga 17 emrat në atë listë dhe dhjetëra të tjerë të shpallur që nga formimi i qeverisë aktuale të talebanëve në fillim të këtij muaji, rasti i Najeebullah ndryshon pasi përmendet vetëm me mbiemër, duke nxitur dyshimet mbi identitetin e tij, dhe pse administrata e re kërkoi që ta lërë disi në hije këtë personazh.

E pyetur lidhur me këtë çështje, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se po ndiqte nga afër situatën. “Ne jemi në dijeni të raporteve mediatike, të cilave i referoheni”- tha zëdhënësi për median i IAEA-së Fredrik Dahl. Por nga ana tjetër ai nuk pranoi të komentojë se si mund të ndikojë kjo në marrëdhëniet e organizatës mbikëqyrëse të OKB-së me Afganistanin.

“Në përputhje me praktikën standarde në lidhje me vendimet dhe emërimet e shteteve anëtare, ne nuk kemi asnjë koment”- tha ai. Afganistani ishte ndër anëtarët themelues të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në vitin 1957 dhe bashkëpunoi me organizatën ndërkombëtare për më shumë se dy dekada.

Kjo marrëdhënie u ndërpre në fundin e viteve 1970 pas trazirave civile, dhe një ndërhyrje nga Bashkimi Sovjetik kundër rebelëve muxhahidinë të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Pakistani. Konflikti vazhdoi gjatë gjithë dekadës pasuese, duke përfunduar me tërheqjen e sovjetikëve dhe ngjitjen e talebanëve në pushtet gjatë viteve 1990.

Por bashkëpunimi me IAEA nuk do të rifillonte deri pas shpërbërjes së parë të Emiratit Islamik të talebanëve nga një pushtim i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2001, që pasoi sulmet terroriste të 11 shtatorit të kryera nga Al-Kaeda, një aleate e talebanëve në atë kohë.

Në vitin 2011, në vend u themelua Komisioni i Lartë i Energjisë Atomike, për të eksploruar përdorimin e teknologjisë bërthamore për qëllime civile. Por kur talebanët filluan të forcohen në mbarë vendin, Agjencia e Energjisë Bërthamore në Afganistan filloi të shprehë shqetësimin se paqëndrueshmëria mund ta rrezikonte punën e saj.

Në një fjalim drejtuar IAEA-së në shkurtin e vitit të kaluar, ambasadorja e atëhershme afgane në Austri, Khojesta Fana Ebrahimkhel paralajmëroi se “situata aktuale e sigurisë në Afganistan është e tillë, që disa zona të vendit kontrollohen nga grupet kryengritëse, dhe grupet terroriste kombëtare dhe ndërkombëtare janë aktivë në të gjithë vendin, ne kemi një shqetësim serioz në lidhje me transportimin ilegal të materialeve bërthamore nga këto grupe”.

Por trazirat në Afganistan vetëm u përkeqësuan, dhe dy javë më vonë, administrata Trump arriti një marrëveshje me talebanët, e cila i hapi rrugën tërheqjes së ushtrisë amerikane nga vendi.

Administrata e Joe Biden e përfundoi këtë proces muajin e kaluar. Ndonëse qeveria e re e udhëhequr nga talebanët mbetet e panjohur nga asnjë vend, ajo ka premtuar se do të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare. Këtu përfshihen edhe premtimet për të frenuar përhapjen e grupeve militante transnacionale, luftën ndaj ndryshimeve klimatike dhe nxitjen e tregtisë.

Por përveç shqetësimeve se si mund të ndikojnë zhvillimet në Afganistan mbi çështjet e të drejtave të njeriut, sidomos ato që lidhen me grupet më të cënueshme si gratë dhe pakicat jo-pashtune, disa zyrtarë dhe analistë kanë ngritur alarmin se çdo trazirë në këtë vend, mund të minojë sigurinë e arsenalin bërthamor të Pakistanit.

Në një dëshmi që kundërshtonte pretendimet e Shtëpisë së Bardhë, se Pentagoni e mbështeti tërheqjen deri më 31 gusht nga Afganistani, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjeneral Mark Milley u tha ligjvënësve të martën se ai dhe ekipi i tij “vlerësuan se një tërheqje e përshpejtuar do të rrisë rrezikun e destabilitetit rajonal, mund të cënojë sigurinë e Pakistanit dhe arsenaleve të tij bërthamore”

Për me tepër, Pakistani ka një histori të përhapjes së armëve bërthamore jashtë territorit të tij. Fizikanti bërthamor AQ.Khan, i njohur zakonisht si “kumbari” i programit të armëve bërthamore të Pakistanit, ka qenë prej kohësh në qendër të akuzave ndërkombëtare se i pati dhënë Libisë, Iranit dhe Koresë së Veriut informacione të klasifikuara, përfshirë ato mbi modelet e centrifugave të pasurimit të uraniumit.

Libia e mbylli që në fillim programin e saj bërthamor, si pjesë e një marrëveshjeje të arritur në vitin 2003 me Shtetet e Bashkuara, që në fillim të atij viti kishin pushtuar Irakun, mbi atë që u vërtetua se ishte një pretendim i rremë për armë të shkatërrimit në masë.

Irani ka ende një program të fuqishëm bërthamor, pavarësisht akuzave ndërkombëtare dhe vrasjeve të shkencëtarëve të tij. Teherani ka mohuar vazhdimisht çdo lloj aspirate ushtarake për programin e tij, dhe ka fajësuar Izraelin për vrasjen e disa ekspertëve iranianë, vend që gjithashtu besohet gjerësisht se zotëron armë bërthamore.

Koreja e Veriut ka ndërkohë një program të plotë të armëve bërthamore, të kompletuar me raketa të mëdha, të cilat Pheniani i konsideron si frenues të ndërhyrjeve të huaja. Pakistani u nxit të pajisej me armë bërthamore në kundërpërgjigje të testit të parë atomik të Indisë rivale në vitin 1974.

Ai testim u krye një dekadë pasi Kina, që gjithashtu ka një mosmarrëveshje të ashpër territoriale me Indinë, kreu testin e saj të parë të armëve bërthamore. Dhe ndërsa Pakistani

ka mbajtur lidhje të ngushta me talebanët gjatë ngritjes, rënies dhe ri-ngritjes së tij, ka shqetësime edhe në Islamabad se disa grupe separatiste dhe fondamentaliste mund të përfitojnë nga situata për ta kërcënuar rajonin.

Ish-këshilltari i Sigurisë kombëtare i Donald Trump, John Bolton, e ka përforcuar këtë frikë deri në pikën e sugjerimit se rikthimi i talebanëve në krye të Afganistanit, krijon një kërcënim të afërt për Pakistanin dhe sigurinë e armëve të tij bërthamore.

“Talebanët në kontrollin e Afganistanit, kërcënojnë mundësinë e vënies edhe të Pakistanit nën kontrollin e terroristëve. Kjo pasi ushtria pakistaneze ka shumë radikalë. Por nëse i gjithë vendi pushtohet nga terroristët, kjo do të thotë se ndoshta 150 armë bërthamore do të bien në duart e terroristëve, gjë që është një kërcënim real për ne dhe miqtë tanë”- deklaroi Bolton.

Por përfaqësuesi i përhershëm pakistanez në Kombet e Bashkuara Munir Akram, reagoi duke thënë se Bolton kishte synuar të zhdukte armët bërthamore të Islamabadit, por pa sukses.

“Nëse zoti Bolton nuk mundi që t’i merrte dot armët tona, unë nuk besoj se këtë mund të bëjnë talebanët”- tha ai për “Newsweek”. Edhe Daryl Kimball, që ka shërbyer për dy dekada si drejtor ekzekutiv i “Shoqatës së Kontrollit të Armëve” me qendër në Uashington, u shpreh mosbesues ndaj konceptit se arsenali bërthamor i Pakistanit përballej me ndonjë kërcënim të shtuar pas fitores së talebanëve në Afganistan.

“A është infrastruktura bërthamore e Pakistanit sot më e prekshme nga një vit më parë? Unë mendoj se jo”- theksoi ai. Ai argumentoi se kur bëhet fjalë për vetë talebanët, blerja ose zhvillimi i armëve bërthamore ishte larg interesit të tyre, si rezultat i mangësive teknologjike dhe strategjisë së tyre të provuar për të mposhtur superfuqitë përmes metodave konvencionale.

“Pra leksioni që kanë mësuar ata nga historia e tyre, është se mund t`u rezistojnë fuqive të mëdha, dhe ata mund ta bëjnë këtë pa iu drejtuar armëve më shkatërruese ndër të gjitha armët, siç janë ato bërthamore, të cilat janë jashtë mundësive të tyre”- deklaron Kimball. Marrë me shkurtime–

/Përktheu: Alket Goce-abcnews.al