A do të jetë Lefter Koka bashkëpunëtor i drejtësisë? Si përgjigjet avokati

schedule13:44 - 17 Maj, 2022

schedule 13:44 - 17 Maj, 2022

Avokati i Lefter Kokës deklaroi sot, se ish-ministri tashmë në burg për korrupsion nuk ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, pasi s’ka për çfarë të pendohet.

Ndërkohë që ka zëra se SPAK po kërkon një bashkëpunëtor për të zbërthyer skemën e inceneratorëve, avokati mohoi se Koka do të jetë një prej tyre. Sipas tij, ish-ministri nuk ka për çfarë të bashkëpunojë.

“Nuk ka pse të pendohet. Bashkëpunëtori është një njeri që tregon për veten e tij dhe të tjerët. Në rastin konkret Koka s’ka çfarë të bashkëpunojë.

SPAK i ka të gjitha mjetet që të kërkojë dhe të gjejë bashkëpunëtorë por jo te Lefter Koka, te persona të terë që janë aty. Ata mund të sigurojnë cigare apo veshjet e stinës”, tha ai.

Avokatët mbrojtës të ish-ministrit të Mjedisit kërkuan sot ndryshimin e masës së sigurisë për “arrest me burg”. Nesër në orën 10:00 do të jepet vendimi nga gjykata për këtë kërkesë.

Lefter Koka u arrestua me urdhër të SPAK. Ish-ministri akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Në burg për inceneratorët është gjithashtu edhe ish-deputeti socialist, Alqi Bllako. g.v/abcnews.al