A do ta shpallë qeveria Gjendjen e Jashtëzakonshme? Çfarë thotë ligji

schedule16:34 - 26 Nëntor, 2019

schedule 16:34 - 26 Nëntor, 2019

Tërmeti i sotëm që kishte një magnitudë 6.4 të shkallës richter ka shkaktuar të paktën 17 viktima, ndërsa persona të tjerë gjenden nën rrënoja për të mos llogaritur dëmet e konsiderueshme materiale.

Po sa të mbrojtur janë lidhërisht qytetarët dhe detyrimet e institucioneve në këtë situatë fatkeqësie natyrore?

Më 17 korrik 2019, parlamenti ka miratuar ligjin për mbrojtjen civile, një propozim i Këshillit të Ministrave. Ligji synon zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe realizimin e mbrojtjes civile për të garantuar mbrojtjen e jetës së njerëzve, të gjësë së gjallë, të pronës, të trashëgimisë kulturore e të mjedisit, nëpërmjet forcimit të sistemit të mbrojtjes civile. Ligji parashikon edhe shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme apo të Fatkeqësisë Natyrore.

Kështu, në kreun e katërt të ligjit, i dedikuar për gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe masat e jashtëzakonshme, në nenin 39 parashikohet se është këshilli i ministrave, ai që shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore.

“Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit”, thuhet në nënin 39.

Ndërsa zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore përtej 30 ditëve, mund të bëhet vetëm me miratimin e Kuvendit. Neni 41 parashikon edhe të drejtën e kompensimit, nga pushteti qendror e ai vendor.

Shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie.

Në çdo rast, kur shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, kompensimi mund të bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.

Ligji parashikon edhe bashkëpunimin ndërkombëtar e marrjen e asistencës ndërkombëtare nga shtetet e tjera (neni 53,54)dhe donatorët e huaj japin për

parandalimin dhe përballimin e situatës së krijuar nga fatkeqësitë.

Të gjitha institucionet qendrore e vendore duhet të informojnë ministrin në lidhje me të gjitha aspektet e asistencës ndërkombëtare.

Autoriteti përgjegjës për koordinimin e mbështetjes së vendit pritës, në rastet e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, është Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, ndërsa në rastet e tjera është Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

Ligji ka renditur edhe atë që quhet infrastrukturë kritike, që duhet mbajtur në parametra pune e kontrolli, si furnizimi me emergji elektrike, menaxhimi i gazit, naftës e nënprodukteve të saj, rrjeti i telekomunikacionit, furnizimi me ujë, me ushqime, gatishmëria e spitaleve, qendrave shëndetësore e ambulancave, sistemet e transportit të brendshëm, rrjeti hekurudhor, aeroportet dhe portet.

Në ligjin për mbrojtjen civile ka një kapitull të vecantë për të drejtat e detyrimet e shtetasve.

Në nenin 57 thuhet se përvec të drejtës për informacion në mënyrë të përhershme e të përditësuar në situatat e fatkeqësive natyrore, kanë edhe të drejtë të kërkojnë mbrojtjen e jetës së tyre dhe të pronës nga strukturat e mbrojtjes civile, sigurimin e kushteve për jetesë kur janë prekur nga fatkeqësia, deri në momentin e rikthimit në gjendje normale.

Prioritet kanë shtetasit më të rrezikuar, si fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe gratë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!