BEOGRAD- Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kryetemë e zhvillimeve politike në rajon pasi BE dhe SHBA janë investuar për ta çuar para këtë proces. Gazetar TV N1 në Beograd, Darko Popoviç në emisionin “Ballkan Update” në ABC News foli për këtë proces ndërsa tha se njerëzit e thjeshtë duan që konfliktit t’i jepej fund.
“Njerëzit do të ishin të lumtur të përmbyllej konflikti, por tani për tani nuk besoj se janë të lumtur për mënyrën se si po shkojnë gjërat. Po, njerëzit e thjeshtë do të ishin më të lumtur, që të shikonin se mund të largohet tensioni”, tha ai.
Ai theksoi se rruga e Serbisë për në Bashkimin Evropian ka si parakusht marrëdhëniet e mira me rajonin dhe në këtë kuadër përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën do ishte mënyra e duhur për këtë objektiv. Gazetari po ashtu paralajmëroi se gjatë muajve në vazhdim mund të kemi një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë.
“Po është e vërtetë se rruga e Serbisë drejt BE lidhet me normalizimin e marrëdhënieve me rajonin dhe konkretisht me Kosovën. Mendoj se po shkojmë drejt një zgjidhje, e cila mund të dalë në muajt në vijim, nuk jam i sigurt se kjo ka për ta zgjidhur problematikën në mënyrë të menjëhershme. Ndoshta mund të filloj dhe pajtimi midis popujve” shtoi ai/Abcnews.al