Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo ka shprehur keqardhjen për situatën në Partinë Demokratike, ku beteja mes kryetarit aktual Lulzim Bashës dhe lideri historik, Sali Berisha është thelluar.
I ftuar në studion e “Log.” me Endri Xhafon, Milo thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte që palët të shkojnë bashkë në Kuvendin Kombëtar që ish-kryeministri Berisha e ka thirrur me 11 Dhjetor.
“Këtu nuk është çështje statuti. Këtu është një çështje thelbësisht politike. Kemi një çështje të madhe brenda PD-së që është vënë në dyshim lidershipi i saj dhe që kontestohet nga një pjesë që ende nuk e dimë çfarë madhësie ka. Më lejo që qoftë për pozitën që kam të jem i kujdesshëm për të dhënë mesazhe që nuk do të doja që PD të arrinte këtu ku është sot, jo se kam pasur ndonjë afrimitet politik me PD kam qenë ana tjetër por kjo nuk më ka penguar asnjëherë që ta vlerësoj PD si një forcë politike që realizoi kthesën dhe që ka vlerat e saj. Nuk do të doja të isha dëshmitar i një çarje të tillë që është realitet. Çarja dobëson opozitën. Ju e keni parë kur iku opozita sesi u katandis parlamenti shqiptar. Ne jemi të interesuar të ketë një opozitë të fortë në Kuvend. Zgjidhja më e mençur do të ishte një ndërmjetësim nëse do të ishte e mundur e të dy palëve që të ulen dhe të shkojnë në kongres bashkë. Aty të jetë vota e delegatëve dhe të votohet. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë,” u shpreh Milo. g.v/abcnews.al