Mediat italiane: “Trupi i pajetë i gjetur në brigjet e Puljas dyshohet të jetë i avokatit Besnik Muço”

schedule11:38 - 19 Nëntor, 2017

schedule 11:38 - 19 Nëntor, 2017

Tashmë është thuajse e konfirmuar që trupi i pajetë i gjetur në brigjet e Puljas në Itali i përket avokatit shqiptar Besnik Muço që u shpall i zhdukur me 2 nëntor. Pritet vetëm konfirmimi me anë të testit të ADN-së.

Mediat italiane duke cituar autoritetet shprehen thuajse të bindura që trupi i pajetë i një personi të gjetur më datë 6 nëntor në brigjet pranë Leçes, në rajonin e Puljas, mund të jetë ai i avokatit shqiptar Besnik Muço. Ai u zhduk në 2 nëntor ndërsa po udhëtonte me traget drejt Italisë me linjën Durrës –Bari. Me kërkesë të prokurorisë së Maçeratës, është kërkuar dhe kryerja e testit të ADN-së për identifikimin e trupit, pasi gjendja aktuale nuk mundëson njohjen e viktimës për shkak të qëndrimit të gjatë në detë.
Pista kryesore e hetuesve italiane raportohet të jetë pikërisht ajo që të çon te 54-vjeçari shqiptar. Sipas tyre, koha dhe vendi i gjetjes përputhen me hipotezën e hetuesve se mund të bëhet fjalë pikërisht për shqiptarin, Besnik Muço.

Ndërkohë, pak ditë më parë Policia e Durrësit gjeti në tragetin e linjës Bari-Durrës, sende personale të avokatit. Bëhet fjalë për një çantë, një xhup dhe një leje qëndrimi italiane. Këto sende personale i janë dorëzuar autoriteteve italiane. Pas humbjes së kontaktit, bashkëshortja e Muços, banuese në Maçerata bashkë me fëmijët, ka denoncuar zhdukjen e 54-vjeçarit. Aktualisht hetimet po drejtohen nga prokuroria e Leçes. Por edhe policia shqiptare ka nisur hetimet për sekuestrim personi, por nuk përjashtohet as pista e vetëvrasjes. Besnik Muço jetonte prej vitesh në qytetin e Maçeratas me gruan dhe fëmijët. Deri në vitin 1997, ai kishte punuar si prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa më pas kishte vijuar në profesion të lirë si avokat./abcnews