Dinosauri i parë i gjetur në Grenlandë jetoi 214 milionë vjet më parë, ishte një barngrënës dykëmbësh me përmasa mesatare dhe me qafë të zgjatur.
Ai quhej ‘Kocka e Ftohtë’ (‘Issi saaneq’ në gjuhën Inuit) dhe ishte paraardhësi i sauropodëve.
Identikiti i specieve të reja është publikuar në revistën Diversity nga një ekip paleontologësh portugez, danezë dhe gjermanë të udhëhequr nga Victor Beccari i Universitetit të Ri të Lisbonës.
Studiuesit studiuan kafkat e ruajtura mirë të dy ekzemplarëve (një i ri dhe një pothuajse i rritur), të gjetura në vitin 1994 gjatë një gërmimi në Grenlandën Lindore nga paleontologët e Universitetit të Harvardit. Gjetjet iu nënshtruan mikrotomografisë së kompjuterizuar dhe u rindërtuan në mënyrë dixhitale në 3D.
“Anatomia e dy kafkave është unike në shumë aspekte, për shembull në formën dhe proporcionet e eshtrave: këto ekzemplarë me siguri i përkasin një specie të re”, shpjegon Beccari. Dy ekzemplarët jetuan 214 milionë vjet më parë gjatë Triasikut të Vonë, periudhë në të cilën fragmentimi i superkontinentit Pangea çoi në formimin e Oqeanit Atlantik. “Në atë kohë Toka po përjetonte ndryshime klimatike që lejuan dinosaurët e parë barngrënës të arrinin në Europë dhe madje edhe më gjerë,” thekson Lars Clemmensen nga Universiteti i Kopenhagës./abcnews.al