Elton Marko, topografi nga Himara i arrestuar një ditë më parë pasi akuzohet se tjetërsoi dhe më pas shiti pronat në Dhërmi është lënë në burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë. Sipas bluve ai dyshohet se ka falsifikuar formularin e aktit të marrjes së Tokës në pronësi, të cilin e ka përdorur për regjistrimin e një pasurie në fshatin Dhërmi dhe më pas e ka shitur te persona të tjerë.
Në lidhje me këtë çështje Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”. Tashmë materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Problemi me falsifikimin me pronat në Dhërmi një muaj më parë çoi në pranga drejtorin e zyrës së administrimit të Tokës Bardhi Gjika, specialisti i kësaj drejtorie, Kreshnik Mino dhe 51-vjeçari Spiro Duni.
Ndaj tyre rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve në dosjet e pronave të fshatit turistik të Dhërmiut. Pas falsifikimeve të bëra dhe frikës nga drejtësia, në bashkëpunim me njëri tjetrin ata inskenuan një grabitje në zyrat e “Tokave” të Dhërmiut në zyrat e Këshillit të Qarkut të Vlorës. m.v/Abcnews.al