“Fondi i Komuniteteve”, rikonstruktohen pallatet “Hawai”

schedule13:07 - 13 Janar, 2019

schedule 13:07 - 13 Janar, 2019

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i ka bërë thirrje banorëve të kryeqytetit të zgjedhin administratorët e pallateve dhe të aplikojnë për të përfituar nga fondet për komunitetin. Kryebashkiaku inspektoi punime që janë kryer me këtë fond tek pallatet “Hawai”.

Përmes fondit të komuniteteve banorët e Tiranës mund tërikonstruktojnë pallatet e tyre duke përfituar një pjesë të financimit nga Bashkia. Nga kjo mundësi kanë përfituar banorët e pallateve “Hawai” në rrugën “Andon Zako Çajupi”. Kryebashkiaku Erion Veliaj, ndërsa inspektoi sesi po vijon kjo nismë e Bashkisë i bëri thirrje qytetarëve të tjerë të zgjedhin administratorët dhe të përfitojnë.

 “Filluam para pak muajsh me ato që ishin pallatet e para të ‘Arabit’ dhe banorët e tjerë e panë se si po dilte në dritë pallati ngjitur, ndaj filluan edhe ata të marrin nga energjia pozitive e transformimit. Thirrja ime për të gjithë banorët është: Ky është viti kur kemi financuar më shumë projekte komunitare, ndaj i ftoj që fillimisht të zgjedhin administratorin e pallatit të tyre dhe pastaj të aplikojnë. Ky është një pallat i cili deri dje dukej një katrahurë; sot as kabujt nuk duken më.”

Gjatë këtyre katër viteve Bashkia e Tiranës deklaroi kryebashkiaku ka realizuar një sërë investimesh të rëndësishme që kanë sjellë dhe rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për të mirëmbajtur hapësirat e përbashkëta. /abcnews.al