LSI, nismë ligjore për mbrojtjen e të miturve nga dhuna seksuale

schedule15:04 - 8 Nëntor, 2021

schedule 15:04 - 8 Nëntor, 2021

Të dënuarit për krime seksuale ndaj fëmijëve duhet të jenë të rezultojnë në një regjistër, si një mënyrë për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla. Nisma ligjore është iniciuar nga deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho që e ka depoozituar këtë të hënë në Kuvend.

“Krimet seksuale nuk kanë qenë kurrë kaq goditëse, kaq të hapura, kaq të larta në numër. Vetëm gjatë periudhës prej 1 Janarit 2019 deri më 1 Qershor 2020, 66 fëmijë kanë rënë pre e ngacmimit dhe dhunës seksuale nga persona të afërt apo janë dhunuar seksualisht nga familjarë të tyre, 3 prej tyre (vajza) janë vetëvrarë”

Projektligji për Regjistrin e Krimeve Seksuale dhe miraitmi i tij nga Parlamenti, siç tha Xhixho, do të zgjidhë një herë e mirë regjistrimin e çdo grabitqari seksual dhe mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale.

“Regjistri Kombëtar për të Dënuarit për Krime Seksuale do të jetë një instrument i shtetit shqiptar për të luftuar dhe parandaluar krimet seksuale. Regjistri i mundëson Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligjzbatuese që të identifikojnë dhe monitorojnë grabitqarët seksualë, pedofilët dhe personat që kanë tendencë për të kryer krime seksuale, duke disponuar informacion të detajuar lidhur me të dhënat personale, vendbanimin, rrethin shoqëror, komunikimet, veprimtarinë dhe punën e tyre etj”, tha më tej.

Gjatë ditëve të fundit janë shënuar disa raste në vend të ngacmimeve seksuale ndaj të miturave. Rasti më i fundit ishte ai i një drejtori të një shkolle në Pogradec.