Kosova mbetet i vetmi shtet në rajon pa vaksinë kundër HPV

schedule16:33 - 7 Nëntor, 2021

schedule 16:33 - 7 Nëntor, 2021

Në Kosovë, vaksina kundër papilloma virusit (HPV), e cila mbron nga sëmundja e kancerit të qafës së mitrës, nuk është në kalendarin e vaksinimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Papilloma virus është infeksioni më i zakonshëm, i cili transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale. Ky infeksion mund të shkaktojë disa probleme shëndetësore duke përfshirë edhe sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës.

Vaksina HPV, në bazë të studimeve të bëra së fundmi nga Organizata e Britanisë së Madhe “Cancer Research”, tregon se kjo vaksinë ka zvogëluar rastet e kancerit të qafës së mitrës për gati 90 për qind.

Kanceri i qafës së mitrës vret qindra mijëra gra çdo vit në botë dhe është kanceri i dytë më i zakonshëm te gratë thonë profesionistët shëndetësorë.

Nëse zbulohet me kohë, profesionistët shëndetësorë thonë se është 100 për qind i shërueshëm.

Shpresa është se përmes vaksinimit, sëmundja mund të eliminohet.

Sipas të dhënave të Klinikës së Onkologjisë në Kosovë, në vit trajtohen deri në 120 gra me sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës.

Numri i rasteve që përfundojnë me vdekje nuk dihet.

Profesionistët shëndetësorë të fushës së onkologjisë, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, u bëjnë thirrje institucioneve të shëndetësisë që të fusin vaksinën kundër papilloma virusit (HPV) në kalendarin e vaksinimit.

Drejtori i kësaj Klinike, Ilir Kurtishi thotë për Radion Evropa e Lirë se në të kaluarën kanë diskutuar me autoritetet për rëndësinë e kësaj vaksine, por deri më tani nuk ka diçka që ka filluar në këtë aspekt.

“Mendimi ynë është se kjo vaksinë duhet të fillojë të jepet edhe në Kosovë, siç bëhet në të gjitha vendet e Evropës pasi që kjo e zvogëlon numrin e rasteve të qafës së mitrës. Por, kjo është një çështje që merret nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik dhe ekspertët që merren me trajtimin të sëmundjes”, thotë Kurtishi.

Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjigjur në pyetjet e Radios Evropa e Lirë se a do të shqyrtojë përdorimin e kësaj vaksine.

Por, bisedat lidhur më këtë vaksinë në Kosovë datojnë nga viti 2018. Në atë vit zyrtarë të MSH-së patën deklaruar për Radion Evropa e Lirë se kjo vaksinë bart kosto të lartë financiare.

Vaksina HPV shpëton jetë

Nisur nga të gjitha studimet e bëra që vaksinën HPV e shohin si mundësi të mirë për zvogëlimin e kësaj sëmundjeje, kryetari i Shoqatës së onkologëve, Arben Bislimi thotë se në një situatë të tillë nuk ka shumë alternativa.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet vendimmarrëse duhet ta fusin këtë vaksinë në kalendarin e imunizimit.

“Jo vetëm ky studim, por edhe studimet e mëhershme tregojnë se kanceri i qafës së mitrës, diku 95 për qind të shfaqjes është si pasojë e infeksionit me human papiloma virus. Derisa e dimë shakatarin që vjen deri te sëmundja, atëherë në këtë situatë parandalimi është vaksinimi”, thotë Bisilmi.

Kosova, shton Bislimi duhet të fillojë me kalendar të rregullt të vaksinimit për HPV për moshat 9-12 vjeç dhe prej 13- 25 për ato gra që nuk janë vaksinuar më herët.

Studimi i Organizatës së Britanisë së Madhe “Cancer Research”, ka vë në pah se reduktimi i rrezikut ishte më i dukshëm tek ata që ishin vaksinuar në moshat më të hershme të mundshme 12-13 vjeç, me një rënie prej 87 për qind.

Ata të imunizuar nga mosha 16-18 vjeç kishin një rënie të rrezikut prej 34 për qind.

Në disa shtete të rajonit vaksina HPV është​ e obligueshme

Vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi në kalendarin e vaksinimit kanë vaksinën kundër papilloma virusit.

Në Maqedoninë e Veriut, kjo vaksinë është në kalendar. Ndërkohë që nga viti 2013 dhe është obligative për gratë e moshës 12 deri në 26 vjeç dhe jepet në tri doza.

Në kalenderin e vaksinimit të këtij shteti ceket se kjo vaksinë duhet të jepet për vajzat në klasën e gjashtë.

Edhe Serbia, vaksinën HPV e ka në kalendar të vaksinimit. Vaksina nuk është e obligueshme, por e rekomanduar.

Sipas të dhënave, në Serbi deri në 1,500 gra çdo vit sëmuren nga kanceri i qafës së mitrës dhe kacereve të tjera, kurse vdesin 600 prej tyre.

Derisa vaksina është e rekomanduar dhe jo e detyrueshme sigurimi shëndetësor në Serbi nuk mbulon kostot e vaksinimit. Çmimi i vaksinës është rreth 300 euro.

Mali i Zi në vitin e kaluar kishte ndarë buxhet për vaksinën HPV, por ato mjete u përdorën për nevojat e trajtimit të pandemisë COVID-19.

Sipas autoriteteve në Mal të Zi vaksinimi me vaksinën kundër kancerit të qafës së mitrës do të vazhdojë kur të ketë një situatë më të favorshme epidemiologjike me COVID-19.

Në këtë, shtet sipas të dhënave, rreth 110 gra në vit trajtohen me sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës.

Vaksina HPV është në përdorim edhe në Bosnje. Vaksina nuk është e obligueshme dhe ajo mund të blihet në barnatore me një çmim prej 180 euro.

Në këtë shtet brenda një viti 550 gra trajtohen nga kanceri i qafës së mitrës, kurse 140 vdesin./REL