Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot mbledhjen plenare të radhës ku ka bërë disa emërime të reja në Prokurorinë e Krujës, Lezhës dhe të Lushnjës.
Me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës, KLP vendosi për ngritjen në detyrë të Petrit Çanos, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Shkallës së Parë Krujë, dhe të Erjon Shehaj, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Shkallës së Parë Lezhë.
Me shumicë votash, Këshilli vendosi caktimin e përkohshëm, për një periudhë tremujore, të Suela Belulit, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në pozicionin e prokurores në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje.
Gjithashtu KLP vendosi miratimin e listës me emrat e kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), të cilët plotësojnë kushtet ligjore për ngritjen në detyrë, pas vlerësimit paraprak, sipas rendit alfabetik, dhe përkatësisht: Alfred Shehu, Elvin Gokaj dhe Sonila Muhametaj (Domi).
Kandidatët sipërpërmendur do të vazhdojnë garën e mëtejshme për prokurorë pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
“Gjatë ditës së sotme, pas shqyrtimit në seancë dëgjimorë të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për procedimin disiplinor në ngarkim të magjistratit {…}, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë {…}dhe propozimin prej tij të masës disiplinore ”vërejtje publike”, Këshilli njoftoi se do të shprehet me vendim, më datë 17.11.2021“, njofton KLP.
Seanca u ndoq edhe nga përfaqësues të programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT. be.k/abcnews.al