Facebook mbyll sistemin e njohjes së fytyrës, fshin të dhënat e 1 miliard përdoruesve

schedule20:27 - 2 Nëntor, 2021

schedule 20:27 - 2 Nëntor, 2021

Facebook ka lajmëruar se do të mbyllë sistemin e tij të njohjes së fytyrës dhe do të fshijë gjurmët e mbi 1 miliard përdoruesve.

Që do të thotë, nëse deri më tani në momentin që publikoje një foto në shoqëri të një tjetër personi dhe të dilte automatikisht opsioni për ta bërë tagg menjëherë, tani më nuk do të ofrohet si opsion. Gjiganti i mediave sociale është shprehur se ky ndryshim pritet të përfaqësojë një nga transformimet më të mëdha në përdorimin e njohjes së fytyrës në historinë e teknologjisë.

Mësohet se më shumë se një e treta e përdoruesve aktivë në Facebook kanë zgjedhur identifikimin përmes fytyrës, heqja e këtij sistemi, do të rezultojë me fshirjen e të dhënave të mbi 1 miliard personave.

Njohja e fytyrës ka qenë e disponueshme në Facebook që nga viti 2011, dhe në kohën kur debutoi, Facebook e aktivizoi funksionin automatikisht për më shumë se 500 milionë njerëz. Opsioni, i quajtur në atë kohë etiketim, ishte krijuar për të njohur përdoruesit e Facebook në fotot dhe videot e postuara nga përdorues të tjerë, duke etiketuar të gjithë njerëzit në foto. Njohja e fytyrës do të hiqet zyrtarisht “gjatë javëve të ardhshme”.