Klej Tompson i jep fitoren Golden Stejtit ndaj Nju Jorkut në NBA

schedule13:48 - 9 Janar, 2019

schedule 13:48 - 9 Janar, 2019

Golden Stejti i dha fund tri humbjeve radhazi në shtëpi, duke mundur Nju Jorkun në basketbollin amerikan. Kapiteni Klej Tompson ishte lojtari më i mirë në fushë.

Kështu ndodh kur ke shumë lojtarë klasi në skuadër. Nëse njëri apo tjetri nuk ia del, shfaqet një i tretë apo i katërt që shpëton skuadrën, dhe kështu u arrit edhe fitorja e Golden Stejtit ndaj Nju Jorkut.

U desh forma e madhe e kapitenit Klej Tompson që kampionët t’i jepnin fund një serie të rrallë prej 3 humbjesh radhazi në fushën e tyre, dhe të triumfonin me shifrat 122-95.

Tompson shënoi 43 pikë, me 7 gjuajtje të sakta për tri pikë.

Përveç shkëlqimit të tij, Golden Stejti pati edhe një arsye tjetër për fitoren, pasi duket se po i kthehet parimit “një për të gjithë, të gjithë për një”.

Analistët e patën kritikuar se e kishte harruar aksiomën “skuadra, e para”, por grupi më në fund duket i bashkuar.

Kevin Duranti, ylli që flitet shumë se mund të largohet, shënoi 24 pikë, kapi 6 topa në tabela e shërbeu 6 asistë, Stefën Kërri pati 14 pikë e 14 pasime për kosh, ndërsa Drejmond Grin shtoi 11 topa në tabela dhe 10 asiste.

Shpejt, kampionët pritet të kenë në radhët e tyre edhe lojtarin qendër, Demarkus Kouzins, që sapo ka kaluar një dëmtim të rëndë, dhe besohet se ata do të jenë edhe më të fortë.

Suksesi bën që Golden Stejti të mbajë vendin e dytë në Konferencën Perëndimore, me 27 fitore e 14 humbje, por ende është vetëm skuadra e pestë më e mirë e kampionatit. /abcnews.al