Kukësi është skuadra më simpatike e kampionatit deri në këto momente. Ekipi i drejtuar nga Diego Longo po tregon kualitet në fushën e lojës, duke realizuar një lojë argëtuese që është shpërblyer edhe me rezultate pozitive.
Tekniku italian ka sjellë një fryme pozitive te verilindorët, duke arritur shumë shpejt të përçojë te lojtarët fizionominë e tij të lojës sulmuese, si dhe shumë harmoni mes grupit të lojtarëve.
Në intervistën pas ndeshjes ku fitoi ndaj Dinamos, timonieri i kuksianëve do të shprehej i lumtur për skuadrën dhe theksonte se së bashku janë një familje e madhe. Vërtetë si e tillë po sillet skuadra e Kukësit.
Një ekip që sezonin e kaluar nuk mori pjesë në Europë, por me kohën në dispozicion drejtuesit e verilindorëve menduan të ndërtojnë një skuadër për titullin kampion. Pero Pejic mori frenat e merkatos dhe siç duket e ka bërë më së mirë këtë punë.
Me fitoren kundër Dinamos, Kukësi ka hedhur pastër kandidaturën për titullin kampion. Lojtarët që Kukësi ka në organikën e tij nuk janë më të mirët e superiores, por trajneri bashkë me pjesën tjetër të stafit kanë arritur të bëjnë më mirë se pjesa më e madhe e skuadrave të tjera.
Vëllezërit Taipi janë qendra e këtij ekipi, me Lulajn në mbrojte që ka marrë rolin e liderit. Portieri Tafas gjithashtu është një “hero”, që pa frikë ka arritur të bëjë pritje të rëndësishme për të ndihmuar edhe ekipin në vazhdimësinë e rezultateve pozitive.
Tek verilindorët shënojnë thuajse të gjithë lojtarët dhe kjo padyshim është pozitive për trajnerin Longo, pasi ka ditur shumë mirë të shpërndajë edhe lojën dhe jo ta bazojë atë te një lojtar i vetëm.
Jo pa arsye kanë edhe sulmin më të mirë në kampionat, së bashku me Tiranën kryesuese, duke shënuar 14 gola në 7 ndeshje, me një mesatare prej 2 golash në çdo takim të “Abissnet Superiore”. Të gjitha këto kur kuksianët dhe skuadra po presin me padurim rikthimin në shtëpinë e tyre në stadiumin “Zeqir Ymeri”.
Një kthim në shtëpi për të zhvilluar ndeshjet do të jetë një “armë” plus për verilindorët. Mbështetja e tifozëve do ishte vendimtare. Vitin që Kukësi arriti të fitonte titullin e parë kampion ishte skuadra e vetme e pamposhtur, duke e kthyer stadiumin e saj në “armikun” kryesor të kundërshtarëve.
Në stadiumin “Zeqir Ymeri”, po vazhdon shtrimi i tapetit të gjelbër, ku sipas njoftimit që ka bërë klubi i Kukësit, pritet që pas 3 javësh, skuadra të luajë në shtëpinë e re.
Safet Gjici, president nderi te Kukësi, pas ndeshjes më Dinamon është shprehur se inaugurimi i stadiumit me shumë gjasa mund të bëhet në ndeshjen kundër Tiranës ku verilindorët janë pritës.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Diego Longo është “qershia mbi Tortë” e këtij kampionati, që shpresojmë të jetë e tillë deri në fund sepse një skuadër e tillë i duhet kampionatit shqiptarë. /f.a/abcnews.al