Grenell kritikon Biden: S’ka “muskuj” prapa kërkesës për implementimin e Marrëveshjes së Washingtonit

schedule19:20 - 30 Tetor, 2021

schedule 19:20 - 30 Tetor, 2021

Ish- i dërguari Special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, në një intervistë për “Kash’s Corner”, ka folur edhe për Marrëveshjen e Washingtonit dhe për atë se si po ecë implementimi i saj.

Grenell e ka quajtur historike atë se çfarë Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Washington me ndërmjetësimin e Administratës së Donald Trump.

Ish-emisari amerikan ka përmendur si të suksesshme një nga pikat e kësaj marrëveshje, atë për moratoriumin një vjeçar, që Kosova të mos kërkonte njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe që Serbia të ndalte fushatën e ç’njohjeve, shkruan Gazeta Express.

Ai ka thënë se asnjë prej palëve s’ka dashur një pikë të tillë në marrëveshje, por që falë Trumpit ishte lëvizur përpara dhe se Kosova e Serbia kanë respektuar një pikë të tillë të marrëveshjes për një vit.

“Ajo absolutisht zgjati për një vit. Dhe tashmë në fund të këtij viti kur është bërë një vit, të dy vendet janë duke vazhduar me kampanjën për njohje dhe për çnjohje”, ka thënë Grenell në këtë intervistë.

Tutje, Grenell ka drejtuar kritika në adresë të Administratës së Joe Biden, që s’ka bërë përpjekje të forta për të vazhduar implementimin e Marrëveshjes së Washingtonit.

“Unë mund t’iu them se nga bisedat që kam pasur me të dy palët, askush nga administrate e Biden s’i ka kontaktuar për të kërkuar zgjatjen e moratoriumit për njohje”, ka shtuar tutje ai.

Richard Grenell thotë se Marrëveshja e Washingtonit përmendet në aspekt pozitiv nga ambasadorët në dy vendet, por thotë se nuk ka veprime që një gjë e tillë të shtyhet përpara.

“Ata e mbajnë si pjesë të politikës, që nënkupton se ambasadorët në këto vende flasin për të në mënyrë pozitive, duke thënë se kjo është ajo çfarë duhet të bëni, ta vazhdoni implementimin. Por s’ka muskuj prapa kësaj, s’ka Shtëpi të Bardhë, s’ka emisar presidencial, dhe sekretari i Shtetit as që mendon për të “, ka theksuar tutje.

Në fund Grenell thotë se është duke bërë përpjekje edhe vetë që të kërkojë implementimin e Marrëveshjes së Washingtonit.

“Unë flas me liderët e rajonit në mënyrë konstante dhe ata janë të etur për lidership amerikan”, ka përfunduar ish-emisari i Trump./GazetaExpress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!