Rama apel studentëve: Mos paguani më shumë se 50 % të tarifës

schedule12:17 - 8 Janar, 2019

schedule 12:17 - 8 Janar, 2019

Status pas statusi i ka dërguar kryeministri Edi Rama studentëve në ditën e dyë të rifillimit të protestave. Fillimisht vendos t’i sqarojë për mënyrën e pagesës së tarifës në universitete.

“Pengmarrësit që e degjeneruan protestën studentore në mbyllje dyersh me dhunë e në shfaqje rrugore të brutalitetit të injorancës, po përpiqen të dizinformojnë studentët lidhur me tarifat në bashkëpunim me disa fundërrina të universitetit! Askush të mos paguajë më shumë se 50%”.

Këtë kryeministri e bazon në Vendimin e Këshillit të Ministrave të miratuar muajin e kaluar.

“Eshtë miratuar në dhjetor VKM për të paguar 50% të tarifave për të gjithë (100% për ata me 9/10 e me ndihme ekonomike+burse 10 mije lek)dhe qeveria do t’ua kalojë lekët direkt universiteteve një për një brenda janarit! Fryma e qëllimet e protestës janë tanimë pjesë e rrugës sonë”.

Nuk e ka përfunduar këtu sqarimin kryeministri Rama. Përmes një statusi të tretë në Twitter, kreu i qeverisë publikon foton e një njoftimi që i informon studentët se prej datës 9 Janar fillon mbledhja e dokumentacionit për të përfituar reduktimin e tarifës së shkollimit sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave.

“Po! Saktë. Studentët në çdo universitet duhet të kërkojnë ekzaktësisht këtë njoftim dhe asgjë më shumë, asgjë me pak”.

Pavarësisht rreshtave sqarues që kryeministri poston në rrjetet sociale, studentët kanë paralajmëruar se protesta vazhdon./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!