Në konferencën para ndeshjes, përkrah trajnerit Diego Longo, ishte i pranishëm edhe kapiteni i skuadrës së Kukësit, Gjelbrim Taipi.
Gjelbrimi thekson se tek skuadra verilindore diferencën ka arritur ta bëjë forca e grupit si dhe trajneri ka arritur të formojë një grup të mrekullueshëm.
“Unë e kam thënë edhe më përpara që ne nuk kemi një lojtar që përfundon ndeshjen i vetëm. Arma jonë më e fortë është grupi. Trajneri ka formuar një grup të mrekullueshëm. Kjo na ka bërë që të jemi më të fortë. Ndeshje pas ndeshje kemi dhënë prova dhe po vazhduam kështu, do shkojnë mirë gjërat”, theksoi kapiteni i Kukësit.
Gjelbrim Taipi vlerësoi edhe kundërshtarin me të cilin kuksianët do të ndeshen ditën e nesërme në “Air Albania”.
“Dinamo është shumë herë kampion i Shqipërisë dhe ka shumë trofe. Është për t’u vlerësuar. Ka lojtarë me eksperiencë dhe të rinj. Ne i respektojmë të gjithë. Fusha e tregon se kush do jetë fitues”, nënvizoi 28-vjeçari.
Gjithashtu futbollisti surprizoi paksa me përgjigjjen se cili i dukej atij si kundërshtari më i fortë në këtë sezon.
“Kampionati këtu është shumë i fortë. Deri tani janë luajtur vetëm 6 ndeshje. Më e bukura ka qenë ajo me Partizanin. Duke e njohur trajnerin e tyre, na ka vështirësuar punën. Mendoj se Partizani ka qenë kundërshtari më i vështirë”, përfundoi Gj.Taipi. /f.a/abcnews.al