Partizani nis fazën përgatitore në Antalia në Turqisë. Skuadra kryeqytetase ka marrë disa përforcime, por ende nuk ka gjetur një qendërsulmues.
Nuk dëshiron të humbasë asnjë minutë kohë. Faza përgatitore e dimrit do të jetë e shkurtër, dhe trajneri Gega kërkon t’i shfrytëzojë më së miri rreth 2 javë stërvitje në Antalia.
Pasi udhëtoi gjatë natës për në Turqi, skuadra nisi menjëherë punën për t’u bërë gati për fazën e dytë të sezonit.
Në plan janë edhe tri miqësore, ndaj Sivassporit në 9 janar, Antaliasporit në 11, dhe kundër Shahtjorit të Karagandit nga Kazakistani në 14 janar.
Trajneri Gega ka me vete 26 futbollistë, mes të cilëve edhe dy përforcimet e ardhura së fundmi. Fatjon Hyseni, një lojtar i krahut të majtë, ka ardhur nga Renova e Maqedonisë.
Ai është 23 vjeç, është aktivizuar në gati 100 ndeshje për Renovën, e mund të luajë gjithashtu në krahun e djathtë, por edhe sulmues i dytë. Përforcimi tjetër është Alesio Hyseni, ish-lojtar i vetë Partizanit, por që luajti për Flamurtarin gjysmën e parë të sezonit.
Klubi vlonjat njoftoi prishjen e kontratës me mesfushorin 22-vjeçar, i cili sqaroi se e kishte kërkuar vetë një gjë të tillë. Të kuqtë dëshirojnë të forcohen edhe në mbrojtje.
Klubi po mendon afrimin e holandezit Ruben Ligeon, ish-mbrojtësi i Ajaksit dhe ekipeve kombëtare të moshave të Holandës. Ligeon është 26 vjeç dhe aktualisht luan për Zvolen në elitën e futbollit holandez.
Pozicioni i tij është mbrojtës i djathtë dhe ai numëron 33 ndeshje për kombëtaret holandeze nga U17 deri në U21. Gjithsesi, Partizani mund të marrë mbrojtësin e Kamzës, Hektor Idrizaj, ndonëse asgjë nuk është vendosur.
Problemi më i madh për kryeqytetasit është roli i qendërsulmuesit, ku çaluan në fazën e parë, aq sa shënuesi më i mirë ishte mesfushori Bruno Telushi.
Vetëm shkodrani i ri, Rubin Hebaj, është pikërisht i këtij roli, por edhe ky luajti pak. Pritet që Partizani të sigurojë një qendërsulmues në ditët në vijim. /abcnews.al