Mustafaj në “Log.”: Beteja mes Bashës dhe Berishës do të përfundojë në gjykatë

schedule21:25 - 26 Tetor, 2021

schedule 21:25 - 26 Tetor, 2021

Ish-ministri i Jashtëm, njëherësh analisti Besnik Mustafaj beson se beteja mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës do të përfundojë në dyert e gjykatës.

Në studion e emisionit “Log.” me Endri Xhafon, Mustafaj tha se ndryshimet që mund të bëhen për statutin dhe kryetarin do të shkojnë në gjykatë për zgjidhje.

“Kuvendi është shprehja më e lartë e sovranitetit. Më thonë që kanë votuar më shumë se 60% e demokratëve. Mendoj se në fund rezultatet ndryshimet e statutit dhe zgjedhja e kryetarit të ri mund të shkojë në gjykatë,” u shpreh ai.

Duke komentuar situatën në selinë blu dhe aksionin e ish-kryeministrit, analisti tha ndër të tjera se Berisha ka përshkallëzuar mesazhet e tij, ndërkohë që sot bëri me dije se Gjykata e Parisit ka pranuar padinë e tij dhe se do të kandidojë për kryetar.

“Do të kemi një proces. Rreziku më i madh që ishte deri tani nëse gjykata do ta pranonte këtë çështje. Ata mendojnë se është një çështje që duhet gjykuar. Në këtë kuptim besoj sesi procedurë është kapërcyer pengesa kryesore. As unë nuk kam bërë ndonjë verifikim më shumë. Por jam i sigurt se nuk do të bënte bllof me këtë. Berisha ka thënë një lajm të vërtetë. Berisha mesa di unë nuk ka paditur pse u shpall ‘non grata’, por ka paditur Blinken se në twitterin e  tij bën disa akuza për të, disa gjëra që kërkojnë prova për t’u vërtetuar.

Unë kam bashkëpunuar me Berishën 20 vjet në politikë. Është hera e parë që e dëgjoj të kërkojë ndjesë. Në politikë ka vlerë aksioni që ndërmerret. Në këtë kuptim se nuk foli Berisha, apo pse Basha u detyrua ta bëjë janë fakte që i përkasin të kaluarës.

Berisha është një strateg politik dhe duhet ta pranojmë që është në fushën e tij. Ky ka llogaritur në strategjinë  e tij një përshkallëzim të mesazheve. Sot tha për herë të parë që do të jetë kandidat,” tha Mustafaj. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!