Një vajzë 28-vjeçare shqiptare është vrarë e groposur në kopshtin e banesës nga babai i saj, i cili kundërshtonte lidhjen e së resë me një shtetas afgan. Vajza prej 12 vitesh nuk kishte parë nënën e saj, që jetonte në Berat. Nëna e 28-vjeçares bën apel për sjelljen e trupit të së bijës pranë familjes në Shqipëri.
Xhezmije Hoxhallari ka hapur dyert e mortit në shtëpinë e saj të rrënuar në Berat pasi ish-bashkëshorti i ka vrarë në Korfuz të bijën Anxhelina Petron, të cilën kishte 12 vite pa e parë. Zemertharë, nëna ka vetëm një apel.
“Ata prunë njerëz, por unë nuk dua ta qaj atje. Dua këtu në shtëpinë time ta qaj”, tha ajo.
Gruaja, vdekjen e së bijës e ka mësuar nga mediat dhe mes lotëve tregon se vajza, në moshën 16-vjeçare ishte larguar në Greqi për të jetuar me të atin Aleko Petro. Ish-bashkëshorti i saj nuk e linte ta takonte dhe ajo fliste shumë rrallë me vajzën. Nëna e vajzës, Xhezmije Hoxhallari, pohon se nuk ka qenë në dijeni se vajza e saj kishte një lidhje dashurie.
“Absolutisht nuk di gjë. Asnjë lloj veprimi”, u shpreh nëna.
Nëna e 28-vjeçares kërkon nga drejtësia greke dënimin më të rëndë për babanë kriminel. Aleko Petro vrau vajzën e tij 28-vjeçare dhe më pas fshehu trupin e saj, në kopshtin e shtëpisë. Sipas komunikatës së policisë, viktima gjeti vdekjen për shkak të goditjeve me shufër hekuri në kokë, pas një konflikti me babain e saj 52-vjeçar.
Anxhelina Petro, u shpall e humbur nga policia helene pas denoncimit nga i dashuri i saj. Mediat shkruajnë se babai, një minoritar grek nga Shqipëria, ka pranuar autorësinë e krimit. Ndërkaq babai vrasës, Aleko Petro, që vrau vajzën e tij në Korfuz, është shprehur për mediat greke i penduar për aktin kriminal. 52-vjeçari tha se nuk donte në asnjë mënyrë që të vriste të bijën, ndërsa mohoi që kishte ushtruar dhunë ndaj saj në të kaluarën.
“Jam penduar shumë, nuk doja ta vrisja, nuk jam i dhunshëm. Kërkoj ndjesë, nuk doja të bëja atë që bëra”, theksoi Aleko Petro për median greke./abcnews.al