Një aksident i katërfishtë ka ndodhur sot në Berat, në aksin midis Urës së Varur dhe Urës së Goricës. Nga të dhënat e para mësohet se një automjet tip Fiat që qarkullonte me shpejtësi, pasi ka goditur disa mjete që lëviznin në atë kohë në rrugë përpara tij, ka përfunduar i përplasur me betonin ndarës të rrugës.
Të përfshira janë katër automjete, dy prej të cilave Mercedes Benz, njëra e tipit Wolsvagen Golf dhe një Fiat Stilo. Si pasojë e aksidentit, fatmirësisht nuk ka pasur viktima ndërkohë që të katër mjetet kanë pësuar dëme të mëdha materiale.
Si pasojë e aksidentit në aksin kryesor dhe të vetëm (hyrës e dalës) në qytetin e Beratit u bllokua qarkullimi i automjeteve për rreth 30-minuta, duke krijuar radhë të gjata makinash në të dyja krahët. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të policisë rrugore, që pasi kanë kryer kqyrjen e vendit të aksidentit kanë spostuar edhe mjetet e dëmtuara, duke bërë që të vijojë normalisht qarkullimi.
Sipas burimeve të policisë në vendngjarje mendohet se shkak për aksidentin e katërfishtë të jetë bërë shpejtësia e mjetit tip Fiat Stilo si dhe mosrespektimi i distancën së mjeteve në qarkullim. /abcnews.al