Partia Demokratike e nis 2019 me zgjedhjet e reja në përbërjen e Sekretariatit, si dhe me përgatitjet për fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Partia më e madhe opozitare pritet të mbledhë në janar organin më të lartë kolegjial vendimmarrës të saj.
Partia Demokratike me statut të ri prej prillit 2018 dhe këshill të ri prej dhjetorit të këtij viti, pritet të mbledhë organin më të lartë kolegjial vendimmarrës të tij fillim vitin e ardhshëm.
Pas një procesi të gjatë, të kontestuar dhe në fund të kurorëzuar me miratimin në Kuvendin kombëtar të statutit të ri të kësaj force politike, përbërja e Këshillit Kombëtar u ripërtëri në formë dhe përmbajtje.
Nga 353 emrat e Këshillit të ri Kombëtar, 150 prej të cilëve të zgjedhur nga Kuvendi i kësaj force politike, spikasin ata që konsiderohen kundërshtarë të kreut demokrat Lulzim Basha.
E ndërsa një pjesë e tyre u tërhoqën nga gara për anëtarë të Këshillit, në ditën kur Kuvendi u mblodh për të votuar anëtarësinë e re të tij, të tjerë janë automatikisht pjesë e kësaj trupe.
Me ndryshimet e bëra në statut, pas një diskutimi në kryesinë e kësaj force politike që u zgjat thuajse deri në mesnatë, Këshilli kombëtar ka anëtarë të përhershëm të tij përvec ish-presidentëve, ish-kryeministrave dhe ish-kryetarëve të Partisë Demokratike, edhe ish-kryeparlamentarët që janë anëtarë të PD në momentin e thirrjes së këshillit.
Në këtë mënyrë një nga zërat më kritik ndaj kreut aktual të demorkatëve, ish kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli, është pjesë e këtij Këshilli, ashtu si kundërshtari i Lulzim Bashës në garën për kryetar partie të korrikut të 2017-ës, Eduart Selami.
Është ky Këshill i përbërë nga anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi Kombëtar, krerët demokrat të bashkive, deputetët, krerët e degëve, sekretari i përgjithshëm, ata funksionalë dhe ish-kryeministra, ish presidentë dhe ish krerë parlamenti, i cili do të zgjedhë për herë të parë kryetarin e Këshillit me mandat 4 vjeçar, sipas përcaktimit të nenit 50 të statutit. Kshilli në mbledhjen që pritet në janar të 2019-ës do të votojë edhe për zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm, nënkryetarët e partisë, sekretarët funksionalë, komisionin e apelimit dhe kreun e bordit financiar të partisë, ekip me të cilin kryetari demokrat Lulzim Basha pritet të nisë përgatitjet për zgjedhjet vendore të qershorit 2019. /abcnews.al