“Kokërr leku nëse nuk mblidhni plehrat”, Rama mbledh kryebashkiakët

schedule12:14 - 22 Tetor, 2021

schedule 12:14 - 22 Tetor, 2021

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur mesditën e së premtes kryetarët e bashkive dhe prefektët për të diskutuar rreth menaxhimit dhe administrimit të mbetjeve. E pranishme në mbledhje është edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

Më herët gjatë shtatorit kreu i qeverisë i paralajmëroi kryebashkiakët që të bëjnë kujdes me pastrimin e plehrave dhe ndalimin e ndërtimeve pa leje në territorin e tyre. Rama tha se kushti themelor për të gjithë kryebashkiakët do të jetë pastërtia e territorit që ata administrojnë.

Ndërkohë, ministrja Kumbaro u shpreh se që tani kanë nisur përgatitjet për vitin e ri turistik, por shtoi se nëse nuk punohet për menaxhimin e mbetjeve, ky sezon nuk do të jetë i suksesshëm. Po ashtu, ministrja tregoi disa foto nga bashki të ndryshme, ku pushteti lokal ka dështuar që të administrojë mbetjet.

Kumbaro tregoi foto me kosha të tejmbushur dhe vendgrumbullime ilegale nga bashkia Durrës, Vlorë, Himarë, Shkodër, Fier e bashki të tjerë. Mesa duket foto të situatave të ngjashme ministrja e Mjedisit nuk kishte gjetur vetëm nga qarku i Korçës.

“Nuk gjeta foto nga Qarku i Korçës, me duhet ta pranoj, ose nuk më sollën”, tha Kumbaro. Po ashtu, shembull tjetër pozitiv ministrja solli bashkinë e Lezhës.

“Nëse ne e konsiderojmë pastrimin, si prioritet për jetën e qytetarëve por edhe për ekonominë në vend, listës së buxhetimit duhet t’i paraprijë çështja e menaxhimit të mbetjeve. Nëse ka qenë e fundit në llogari, për këtë sezon duhet të jetë e para. Unë do të vazhdoj me secilin prej jush në territoret tuaja.” /abcnews.al/