Kolumbi, shmanget atentati ndaj Presidentit

schedule15:35 - 30 Dhjetor, 2018

schedule 15:35 - 30 Dhjetor, 2018

Autoritetet në Kolumbi kanë deklaruar se kanë shmangur një atentat ndaj presidentit të vendit. Ato kanë akuzuar regjimin e Venezuelës si organizator të sulmit, akuzë kjo që është hedhur poshtë nga qeveria në Karakas.

Autoritetet në Kolumbi kanë dënuar ashpër përgatitjen e një komploti për vrasjen e presidentit të vendit, lidhur me të cilin kanë arrestuar tre shtetas nga Venezuela. Ministri i Jashtëm, Karlos Holms Truhijo deklaroi se ekzistojnë të dhëna të besueshme se plani kishte si objektiv presidentin Ivan Dukue. Pa dhënë shumë detaje, shefi i diplomacisë kolumbiane tha se tre venezuelianët e arrestuar posedonin armë lufte për të kryer atentatin. Tensionet mes Kolumbisë dhe Venezuelës janë rritur ndjeshëm në muajt e fundit, me të dyja palët që kanë dëbuar diplomatë nga vendi. Ndërkohë, miliona njerëz janë larguar nga Venezuela për në Kolumbi për t’i shpëtuar krizës së rëndë ekonomike që ka përfshirë vendin në vitet e fundit. Presidenti Dukue u zgjodh në muajin gusht, kur premtoi se do ta izolonte diplomatikisht vendin fqinj. Gjithashtu, Dukue u ka bërë thirrje vendeve të tjera të Amerikës Latine që të mos e njohin Nikolas Maduro si president të Venezuelës, pas rizgjedhjes së kontestuar të tij në maj. Por Maduro akuzon Kolumbinë se bashkë me Shtetet e Bashkuara kanë planifikuar vrasjen e tij me qëllim rrëzimin e qeverisë në Karakas. Maduro akuzoi së fundmi këshilltarin amerikan për sigurinë kombëtare, Xhon Bolton se ishte përfshirë personalisht në planin për vrasjen e tij. Ndërsa mbërritja e dy avionëve luftarakë rusë në Venezuelë rriti më tej tensionet. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!