“Vetingu i politikanëve” një prej amendamenteve të dorëzuara në Kuvend ditën e djeshme nga PD është temë diskutimi mbrëmjen e sotme në emisionin “Log.” në ABC me Endri Xhafon.
Juristi Çlirim Gjata shprehet skeptik për këtë propozim duke e lidhur arsyetimin e tij me marrëveshjet e mërparshme që kreu i PD Lulzim Basha ka bërë me mazhorancën. Një arsye është politike, kurse arsyeja tjetër që jep Gjata është juridiko teknike. Gjata vë në diskutim besueshmërinë e SPAK.
“Vetingu në politikë kërkon sistem ligjor. Me skepticizëm e shikoj në dy momente, njëri juridiko teknik duke përfshirë SPAK, nëse s’kemi besim pse po ia cojmë SPAK, nëse është për gjueti shtrigash atëherë zoti na ruajt. E dyta është politike. Me 17 maj u bë marrëveshja me Ramën dhe na i vodhi zgjedhjet, u bë marrëveshja e 5 qershorit prap ndodhi ajo që ndodhi me zgjedhjet e 25 prillit. Sa herë që ulen, ndodh diçka. Një SPAK që s’bën asgjë për inceneratorët për becchettin, për pastrimin e parave me kullat në Tiranë atëherë çfare shprese kam unë që ky SPAK do bëjë veting në politikë. SPAK nuk është organ administrativ që mund ti çosh një listë me emra mi kontrollo këta. Kush e garanton Pd që Basha pasi ka bërë 3 marrëveshje me Ramën qe të gjitha ia ka shitur, nuk ndodh prapë njësoj?”, tha Gjata.
I pyetur nëse Basha me vetingun e politikanëve kërkon spastrimin e Sali Berishës, Gjata nuk e pohoi një gjë të tillë.
“Deri tani korrupsioni është vepër penale dhe duhet një akuzë dhe prova që e mbështesin këtë fakt, ne tani s’kemi as akuzë as prova dhe as fakte”, shtoi ai.
A është e mundur që vetingu të sjellë spastrimin e politikës shqiptarë? Një pyetje e tillë sigurisht që s’mund të marrë përgjigje në një kohë kur për këtë organ “filtrues” ende nuk është dhënë “Ok”. Analisti Mentor Nazarko tha se nëse ndodh një gjë e tillë do të ishte lajm i mirë. “Po mund të jetë lajm i mirë ky…”, tha Nazarko.
“Reforma në drejtësi në konceptim në projektim ka dështuar një një pjesë të konsiderueshme. Te vetingu i politikës… unë nuk guxoj ta mendoj që do boshatiset vendi, por edhe nëse do ndodhë një spastrim i politikës besoj se s’do kemi probleme si me gjykatat”, shtoi Nazarko.
Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend, tre amendamentet që synojnë ndryshimet në kushtetutë që përfshijnë një reformë të re zgjedhore dhe territoriale, si edhe vettingun e politikanëve. PD e nis fillimisht me propozimin për ndryshim të pikës 3 të nenit 45 që në thelb e vë theksin te vettingu i politikanëve. be.k/Abcnews.al