Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu nga Shkodra ka konfirmuar para gazetarëve se Komiteti i Imunizimit ka rekomanduar futjen në protokolle të dozës së tretë të vaksinës për koronavirusin.
Manastirliu bëri të ditur se ky komitet ka këshilluar jo vetëm dozën e tretë, por edhe uljen e fashës së moshës për vaksinim. Pra rekomandohet vaksinimi i personave mbi 16 vjeç dhe i atyre mbi 12 vjeç nëse kanë probleme shëndetësore.
“Është mbledhur Komiteti Teknik i Vaksinimit përgjatë fundjavës së shkuar, të cilat kanë diskutuar dhe kanë rekomanduar vendosjen në protokolle të dozës së tretë ose dozës booster, kanë rekomanduar edhe uljen e fashës së moshës për vaksinim, plus 16 vjeç. Kanë rekomanduar edhe vaksinimin plus 12 vjeç por vetëm për ata fëmijë që kanë problematika këto rekomandime që kanë dalë nga komiteti i vaksinimit do të diskutohen ditën e nesërme nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Do të kemi edhe një njoftim për vendimet që do të marrë ky komitet.”
Tashmë pritet që Komiteti Teknik i Ekspertëve të mblidhet nesër dhe të vendosë nëse rekomandimet e Komitetit të Imunizimit do të marrin dritën jeshile.
Pas marrjes së vendimit, ministrja bëri të ditur se vendimet do t’i komunikohen publikut. sb/abcnews.al/