Policia e Tiranës ka identifikuar një 19-vjeçar nga Puka si autorin e ngjarjes së të mërkurës në mbrëmje në Laprakë, ku u vra një 17-vjeçare dhe u plagos shoku i saj 23 vjeç. Ai është shpallur në kërkim, ndërsa ende nuk është realizuar prangosja e tij.
“Megjithëse në një zonë të mbipopulluar ngjarja e së mërkurës mbrëma këtu në Laprakë që përfundoi me një të vrarë dhe një të plagosur ka kaluar pothuajse jashtë vëmendjes së banorëve të zonës”.
Personat e pranishëm në rrugicë kanë dëgjuar vetëm krismat. Jashtë mikrofonit, zotëruesit e bizneseve pranë thanë se i kishin pandehur ato për fishekzjarre. Ata thanë se kishin mësuar për krimin vetëm kur kanë parë punonjësit e policisë të vendosin perimetrin e sigurisë.
“Automjetet ku ndodheshin dy të rinjtë, Erjon Benga dhe Griselda Gjikola ndodhej në këtë vend kur drejt tij u hap zjarr. Mjeti ka vijuar lëvizjen, ndërsa autorët janë larguar nga vendngjarja duke lënë këtu vetëm gëzhoja dhe disa grimca xhamash”.
Sipas policisë, krimi është paraprirë nga një konflikt në një nga lokalet më të frekuentuara të zonës, 30 metër larg vendit të ngjarjes. Oficerët e policisë gjyqësore kanë ngritur dyshime se ky konflikt ishte vijim i një përplasjeje të ndodhur disa ditë më parë mes Erjon Bengës dhe dy peronave të tjerë për shkak të ngacmimit të të dashurës së tij.
23-vjeçari Erjon Benga është larguar nga lokali bashkë me mikeshën e tij 17-vjeçare, Griselda Gjikola dhe janë drejtuar për tek automjeti tip “Mercedes E-Class”. Sipas policisë, pas tyre kanë dalë edhe dy personat me të cilët kanë debatuar, një prej të cilëve një 19-vjeçar nga Puka i identifikuar dhe i shpallur në kërkim nga Policia si autor i ngjarjes.
I njëjti dyshohet të jetë personi që ka qëlluar me një armë zjarri pistoletë drejt “Mercedesit” me dy persona në bord duke u shkaktuar të dyve plagë të rënda. Ndonëse i prekur nga plumbat Benga ka vijuar lëvizjen dhe ka drejtuar mjetin për tek “Spitali i Traumës”. Pas ndërhyrjes së mjekëve, ai kaloi rrezikun për jetën, ndërsa 17-vjeçarja nuk i mbijetoi plagëve të marra.
Pas ngjarjes, policia administrioi pamjet filmike të kamerave të sigurisë së bizneseve të zonës, këqyrja e të cilave mësohet të ketë dhënë ndihmë thelbësore në zbardhjen e dinamikës dhe identifikimin e agresorit./abcnews.al