Vdekja e një tjetër fëmije ka bërë që ndaj agjencisë amerikane që kontrollon kufirin me Meksikën të vërshojë një valë me kritika të ashpra. Grupet e të drejtave të njeriut dhe një kongresmen nga Teksasi kanë kërkuar hetim, ndërsa Uashingtoni është detyruar të nisë një operacion kontrolli për gjendjen shëndetësore të refugjatëve të mitur.
Vdekja e një tjetër fëmije në kufirin SHBA-Meksikë, teksa ishte nën kujdesin e autoriteteve amerikane, ka bërë që të ngrihen jo pak pyetje mbi mënyrën se si po kontrollohen emigrantët e ardhur nga vendet e Amerikës Qendrore. Viktima ishte një djalë 8 vjeç nga Guatemala, i cili ndërroi jetë natën mes së hënës dhe së martës, pasi kishte shfaqur shenja sëmundjeje.
I mituri mbahej i ndaluar bashkë me të atin që prej 18 dhjetorit, pasi kishin kaluar ilegalisht kufirin për në Shtetet e Bashkuara. Përmes një deklarate të gjatë ku përpiqeshin të shfajësoheshin, Shërbimet amerikane për Kontrollin dhe Mbrojtjen e Kufirit konfirmuan se 8-vjeçari ndërroi jetë më 24 dhjetor, por shkaqet e vdekjes së tij janë ende të panjohura.
Por rasti i tij, që vjen pak kohë pas vdekjes së 7-vjeçares Zhaklin Kaal ka shkaktuar reagime të shumta. Grupet e të drejtave të njeriut kanë kritikuar autoritetet amerikane dhe Ministrinë e Jashtme të Guatemalës dhe kanë bërë thirrje për nisjen e një hetimi. Ndërsa kongresmeni i Teksasit, Hakin Kastro ka kërkuar një hetim parlamentar, duke deklaruar se politika e administratës Trump për të kthyer mbrapsht njerëzit që mbërrijnë në kufi po vë në rrezik të madh jetët e fëmijëve dhe familjet e tyre.
Pasi ishte ndaluar në El Paso, Felipe Alonzo Gomez ishte dërguar bashkë me të atin në një qendër kufitare patrullimi, nga e cila u transferua. Mëngjesin e së hënës një agjent kishte vënë re se djali kollitej dhe i kishte sytë të acaruar. Ai u dërgua në spital ku u diagnostikua me të ftohtë normal dhe mjekët i administruan paracetamol. Por teksa bëhej gati të largohej, mjekët konstatuan se vogëlushi kishte temperaturë 39.4 gradë Celsius dhe e mbajtën nën mbikëqyrje.
Ai u lirua pak orë më vonë me një recetë që rekomandonte përdorimin e antibiotikut dhe ibuprofenit për t’u shëruar, por për fat të keq ndërroi jetë. Ngjarja ka detyruar autoritetet amerikane të nisin një seri kontrollesh mjekësore tek të gjithë fëmijët që mbahen të ndaluar në pikat kufitare, sidomos tek ata nën moshën 10 vjeç. Administrata Trump është përpjekur të frenojë azilkërkuesit që përpiqen të kalojnë kufirin, duke paralajmëruar se do të përballen me arrestim, gjykim dhe dëbim. Por në të njëjtën kohë ajo po u kufizon aksesin atyre që përpiqen të hyjnë përmes rrugëve zyrtare, duke krijuar rradhë të gjata për aplikantët./abcnews.al